Ditët pushim, Qeveria në dietë dhe populli dembel

Në fakt, ligji për diskriminimin që u lakua shumë u votua në Kuvend por nuk parsashikoi asgjë në lidhje me martesat gay. Si duket, krahu konservator i PD-së vuri alarmin dhe tregoi qartë se në gjëra të tilla ekstravagante nuk hyn në traditat dhe vlerat e familjes shqiptare (dixit një politikan të PDK-së, i cili edhe pse kundër PD-së, në këtë pikë u përputhen idetë). Por mbi të gjitha, faktorët që nuk lejuan miratimin e këtj ligji, pasi nuk besoj se ka qënë faktori social dhe sensibilitetet brenda PD-së, ishte tentativa për të devijuar nga problemet që po e mbytnin qeverinë (përmbytjet, kutitë, kriza…), por edhe pamundësia për të kryer këtë reform “evropiane”. Të shpjegohemi. Që të lejohet martesa gay, është e nevojshme që të ndryshohet Kodi i Familjes, në nenin që bën fjalë për personat që duhet të lidhin martesë. Ky nen është “kristal i qartë” (dixit Kryeministrin) dhe thotë që martesa lidhet midis një burri dhe një gruaje. Që të lejohet martesa midis personave të një seksi, duhet që të shfuqizohet kjo dispozitë dhe te vendoset një dispozitë neutrale në fushë të seksit. Por që të bëhet një gjë e tillë, nevojitet të ndryshohet Kodi i Familjes dhe këtu qëndron problemi: kodet, sipas Kushtetutës ndryshohen vetëm me 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, pra duhen minimalisht 84 deputetë. Është shumë e qartë se Qeveria nuk e ka këtë numër magjik në Kuvend dhe rrjedhimisht nuk e bën dot këtë ndryshim.

 

I njëjti fenomen legjislativ shumë i çuditshëm vihet re dhe në lidhje me festat zyrtare. Qeveria, nëpërmjet projekt-ligjit që paraqiti (i cili u miratua në Kuvend) parashikon ndryshime në ligjin për festat zyrtare. Një nga pikat që ndryshon ligji i ri i miratuar ishte dhe shfuqizimi i mekanizmit të dërgimit të ditës festive virtualisht ditën e hënë në rast se kjo festë binte një ditë pushimi. Mesazhi ishte i qartë, më pak ditë pushim për më shumë punë pasi shqiptarët “duhet të punojnë se janë dembela” dëgjohej lart e poshtë nëpër tavolina njerëzish skeptikë, të kapur nga ky virtyt i inaktivizmit. Po realisht, çfarë ka ndodhur? Ky ndryshim nuk vlen as sa një kokërr groshi, pasi dhe këtu do të kemi një konflikt me Kodin e Punës, i cili parashikon se “kur dita e festave zyrtare bie në ditët e pushimit javor, pushimi shtyhet ditën e hënë”. Kodet, nga pikëpamja hierarkike qëndrojnë më lart se ligjet e tjera dhe materializimi i këtij parimi të sanksionuar në Kushtetutë është numri i deputetëve që nevojiten për ta ndryshuar atë, që është siç e thamë 84 (3/5 e të gjithë anëtarëve). Pra, me këtë ligj të miratuar realisht nuk është bërë asgjë, sepse ai bie në kundërshtim me një normë më të lartë hierarkike. Në rastin më të mirë, i duhet bërë e qartë punëmarrësve se e hëna mbetet ditë pushimi, në rastin më të keq do të ketë një konflikt normash ligjore që u mbetet gjykatave duhet zgjidhin sa më shpejtë me gjithe rremujen qe mund te shkaktohet.

Nga këto përpjekje kalorësiake për të bërë reforma që do e bëjnë Shqipërinë më evropiane dhe më punëtore (realisht asnjëra nuk eci, çka e bën Shqipëri më arkaike dhe më anadollake se më parë), duhet të vëmë re përpjekjet për të kaluar dispozita të tjera të cilat nuk ishin përfshirë në debatin shoqëror. Kështu, me ligjin kundër diskriminit, Qeveria kishte për synim mosdiskriminimin përpara ligjit të çifteve homoseksuale përkundrejt çifteve heteroseksuale. Në fakt, kjo ishte një pistë e gabuar që ndoqi qëllimisht Qeveria, pasi me anë të këtij ligji (dhe me sa duket duhet të ketë qënë synimi real) ajo synoi mosdiskriminimin fetar. Gjë shumë e bukur, thënë me fjalë, por kur lexon ligjin shikon qartë se ka patur për qëllim lejimin në klasa fillore, gjimnaz dhe universitet të simboleve fetare.

Ne jemi kundër kësaj maskarade. Së pari sepse përjashton nga debati çështje që i përkasin shoqërisë dhe së dyti vendosin fëmijet e fillores dhe të gjimnazit përpara disa rregullave shoqërore që nuk kanë të bëjnë fare me laicitetin që reklamon Kushtetuta. Në këtë kontekst, shtrojmë çështjen, çfarë e bën një shqiptar të ndihet i tillë? Gjuha? Vështirë nëse lejojmë shkollat greke të mbijnë si kërpudhat. Feja? Jo, akoma më vështirë kur e propagandon atë që në moshë të vogël. Politika? Jo, aspak. Nëse ajo toleron dasi të tilla.
                                                                                                                                                    Stavri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *