Diskriminimi pozitiv alla shqiptarçe

Në parim nuk ka asgjë për të vënë alarmin, së pari sepse kemi të bëjmë me diskriminim pozitiv dhe shtete me më shumë mend në kokë kanë kohë që e zbatojnë dhe së dyti sepse alarmi u vu në periudhat kur diskriminimi pozitiv u shfaq për herë të parë i diktuar nga nevoja shoqërore dhe, pas debatesh të furishme, ky parim u gjithëpranua në kushtetutat e botës. Më saktë, në ato kushtetuta që kanë nevojë të kenë të sanksionuara këtë parim. Me saktë akoma, në ato fusha që janë të domosdoshme të sanksionohet parimi i diskriminimit pozitiv.

Në rastin tonë konkret, a ka realisht nevojë të vihet një kuotë e tillë në favor të pakicave kombëtare? A është e nevojshme të shkelet parimi i barazisë me qëllim favorizimin e disa kategorive që me sa duket, konsiderohen prej shtetit si te defavorizuara? Dyshimet janë shumë të mëdha. Ndoshta nuk jemi shembulli më i mirë i shtetit që përpiqet çdo ditë për minoritetet e tij, por nuk jemi as në pozitë fort stigmatizuese ndaj pakicave kombëtare, t’i diskriminojmë dhe t’u mohojmë të drejtat e tyre në atë pikë sa të justifikojnë vendosjen e një kuote në një fushë të tillë si rendi ku ende barazia, pavarësisht origjinës, duhet të jetë udhërrëfyes për çdo hartues provimi.

Në fakt ka një përjashtim. Dhe këtu nuk mund të jemi asnjëherë mjaftueshëm lakonikë në shembuj. Është ai i minoritetit rom. Shumë pak është bërë për këtë minoritet dhe shteti, në funksionin e tij garantues të të drejtave dhe të barazisë midis qytetarëve, ka dështuar plotësisht. Herë pa dashje, shpesh me dashje, sepse nuk duhet të harrojmë se, ata që i japin frymë shtetit janë banorë të kësaj Republike, që mbartin po atë mendësi diskriminuese dhe fyese ndaj një popullsie që vazhdon të vuajë injorancën tonë të thellë, paaftësinë tonë për të qenë qytetarë të denjë të botës që kupton se asnjë nuk është njësoj, por secili meriton respekt.

Por a është kjo kuotë realisht e rezervuar për këtë minoritet? Edhe pse është i vetmi minoritet që njeh një diskriminim gati të gjithanshëm dhe rrjedhimisht i vetmi për të cilin mund të justifikohet kjo kuotë, nuk mendojmë se kuota është realisht për ata. Në mënyrë indirekte, do të përfitojnë dhe bijtë dhe bijat e këtij minoriteti, por shumë indirekt ama. Sepse edhe brenda këtij 2%-shi ka një diskriminim të pamohueshëm, që situata aktuale normative nuk e zgjidh. Sepse aksesi drejt nxënies nuk është i njëjtë për një fëmijë nga minoriteti maqedonas, fjala vjen, me një fëmijë nga minoriteti rom. Nëse ka fëmijë nga minoriteti maqedonas apo grek, që nuk ka akses të mjaftueshëm drejt dijes, nuk vjen si pasojë e diskriminimit për shkak të origjinës, por për shkak të zhvillimit të pabarabartë nga një zonë e vendit në një zonë tjetër. Me pak fjalë, nga aksesi i dobët i dijes vuajnë njësoj fëmijët e një zone të caktuar, pavarësisht origjinës.

Meqënëse shteti ynë po dështon të rrisë fëmijë të shëndetshëm dhe të nxënë, mund të konsiderohet zgjidhja e kuotave si një mundësi vendosjeje të një barazie që s’ka për të qenë ndonjëherë e duhura. Por ama është e këshillueshme që të parashikohen, bashkë me kutotat dhe dy pika, që për sytë tanë janë të domosdoshme: vendosja e një kuote më të lartë brenda kuotës prej 2% për komunitetin rom dhe sanksionimi i pakompromis i parimit të mobilitetit të punonjësve të policisë. Në mënyrë që mos të përfundojmë në situatën tërësisht të papëlqyeshme dhe acaruese të emërimit të policit maqedonas në zonën e minoritetit maqedonas e kështu me radhë për të gjitha minoritetet e tjera. Ndoshta në një ballkan të integruar këto s’do të jenë më shqetësime. Por nuk duhet që kjo kuotë të jetë një mishërim i një problemi në të ardhmen, pasi tentoi, me dështim, të zgjidh një shqetësim të të sotmes.

 

Stavri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *