Dinjitarët pa dinjitet dhe kolopuçët VIP

Kastriot Islami për shembull, u kryqëzua si “Tradhtar i Shekullit”, por ai nuk ishte as i pari dhe s’ka për të qenë as i fundit. A ju kujtohet Xhuveli? Edhe Toma  me Paulinin kanë kërcyer si topa ping-pongu nga njëra fushë në tjetrën.  Spartaku, Preçi, Dritani por edhe vetë Iliri, e kanë legjitimuar ndryshimin e kahut politik në shkëmbim të pushtetit. Aq praktikë e rëndomtë është kjo për Shqipërinë e 2013-ës sa që opinioni publik do të habitej nga fenomeni i kundërt. Pra nga qëndrimi stoik e i palëkundur në bindjet dhe rreshtimet politike të… dinjitarëve.

Po, “Dinjitarë” është termi i duhur për të përshkruar një grusht njerëzish që lëpijnë nga njëra pjatë dhe më pas duke u hedhur në tjetrën e duke mos u larguar asnjë herë nga gostia e organizuar dekadat e fundit mbi truallin shqiptar. Dinjitarë por me një shtesë… “pa dinjitet”. Pasi këtë të fundit e kanë lënë tek pjata e parë që kanë ndërruar. I pari ndër ta është pa diskutim Sekretari i Partisë së Punës, Profesor Doktor Sali Berisha. Antipunisti më i madh ndër gjithë antipunistët ish punista. Së fundmi qarkullon edhe fotoja e dinjitares së re (në moshë) pa dinjitet, Sekretares së rinisë, Ministres Integruese, zonjës Majlinda Bregu. Lista është e gjatë dhe matematicieni Kastriot Islami është vetëm i fundit në listë. Këta, por jo vetëm, nuk kanë dinjitet, dhe kjo s’duhet të na habisë, por këta ashtu si edhe të tjerë kanë pushtet, dhe kjo duhet të na zemërojë pa fund deri në revoltë.

Por në vend që të revoltohemi, ne tulatemi, ulim kokën, përshtatemi. Rriten brezat e rinj me një botëkuptim të mbrapshtë e me edukatë të gabuar. Mes nesh ka kolopuçë që e marrin për së prapthi kuptimin e prostituimit intelektual të politikanëve. E interpretojnë atë si vlerë të kohëve moderne, e përvetësojnë dhe prostituohen edhe ata vetë duke e promovuar këtë fenomen në Sport Kombëtar. Këta janë kolopuçët  VIP. Mund të quhen Gerti, Greta, Çili etj, por  Doktor Flori in dhë hauz, Zemërthyeri i Tironës, është emblema e kësaj shoqërie mjerane e të pashpresë. Është simboli i Berishizmit të rrënjosur thellë në botën e çdo shqiptari; edhe të atij që është i pavetëdijshëm për Berishizmin që bart në vetvete, edhe të atij që nuk është VIP por që mund ta shesë dinjitetin për një vend pune apo për më pak, për një dorë lekë.

E ç’mund të thuash pasi ke thënë dy fjalë për Kaçin dhe Florin? A mund të fusësh në mes Çanin dhe Zhejin? Ata vijnë nga bota e gazetarisë, që me gjithë respektin për kategorinë, në Shqipëri është ende një botë imagjinare. Edhe këta janë dinjitarë pa dinjitet dhe na japin mend çdo ditë nga ekranet e televizorëve.

Dinjitarët pa dinjitet dhe kolopuçët VIP simbolizojnë atë çka më të shëmtuar mund japë shoqëria shqiptare, por  Berisha dhe sidomos berishizmi brenda nesh është plaga e vërtetë e Shqipërisë, është ajo çka duhet çrrënjosur një orë e më parë.

Këto dhe plot të tjera janë fenomenet që lulëzojnë çdo ditë ndërsa qytetarët jetojnë në epokën e digjitalizimit, kanë celularët me memorien plot, kanë kompiuterat me memorien plot, por kokën me memorien historike bosh; kanë qendrat tregtare plot dhe kanë frigoriferët bosh. Fshatarëve pastaj, me siguri u mungon frigoriferi dhe jetojnë më të lumtur se kurrë në periferitë e metropolit duke dëgjuar muzikën e Doktor Florit. Zemërthyerit që shkoi te kardiologu për shpëtim. 

Tanks

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *