Dëshmorët e vrarë për herë të dytë

Sipas vëllimit të dytë të Historisë së Shqipërsë (të na ndiejë Kryeministri, por nuk ishim gjallë atëherë dhe diku duhet të referohemi…), natën e 4 shkurtit, forcat naziste terrorizuan popullsinë tiranase, duke keqtrajtuar dhe çnderuar qytetarët e saj dhe duke vrarë 84 veta në një mënyrë shtazarake, që më shumë sesa vendosi rendin, shpalli vetvetiu fundin e ekzektuesve të tyre: të vrarë në pragun e dyerve, në rrugë e në hendeqe.  Mund të kishim ca hije dyshimi në lidhje me variantin e paraqitur nga historianët që kanë shkruar vëllimin e dytë të Historisë së Shqipërisë nëse nuk do t’i referoheshim gazetës “Bashkimi i Kombit”, organ i qeverisë shqiptare, asokohe bashkëpunëtore e nazizmit e cila në kryerartikullin e vet shkruante: “Gjaku don gjak.  Gjaku është një shërim rrënjësor për të infektuarit.  Gjaku duhet të rrjedhë rrëke nëpër rrugët e Tiranës, nëse kërkojmë me rivendos qetësinë.  Një ditë terrori siguron 10 vjet qetësie”.  Nuk mund të kemi përkufizim më të mirë të një qeverie reaksionare dhe fashiste: përdor shtypjen arbitrare për të ruajtur rendin ekzistues, rend i cili bazohej në një ideologji që u luftua në të katër anët e botës dhe që uzurpoi totalisht sovranitetin e shtetit shqiptar.

Pjesa e cituar e gazetës “Bashkimi i Kombit” është e tillë që nuk lë asnjë diskutim të tipit “është marrë apo jo jashtë kontekstit ky fragment”.  Faktet janë të lidhura aq mirë me teorinë, saqë çdo lloj subjektivizmi (siç na mëson dhe Kryeministri) shmanget shumë kollaj.  Ajo masakër është kryer dhe janë vrarë nga barbaria e pushtuesit 84 shqiptarë, si në shumë rajone të tjera në Evropë, që u bënë pre e verbërisë hakmarrëse naziste.  Do të përmend vetëm rastin e masakrës së qytezës franceze të Oradour-sur-Glane.  Të sulmuara vazhdimisht nga forcat franceze çlirimtare, një divizion SS gjerman vendosi të hakmerrej kundër popullsive civile.  Xhaferr Devat lokalë treguan vendndodhjen e qytezës nga mund të vinin forcat francese çlirimtare, por për një ironi makabre, divizioni gjerman ngatërron rrugë dhe mbërrin në qytezën e Oradour sur Glane.  180 burrat e fshatit u ekzekutuan dhe 350 gra dhe fëmijë vdiqën të mbyllur brenda në kishë nga ushtarët SS, pasi u masakruan me mitralozë dhe u dogjën nga flakëhedhëset gjermane.  Rrënojat e qytezës mund të vizitohen dhe sot, pasi me çlirimin e Francës, u mor vendim që qyteza të rindërtohej më tutje dhe ajo që kishte mbetur nga terrori nazist të ruhej si kujtim për brezat e ardhshëm.

Ishte mëse i nevojshëm një rifreskim i shkurtër i ngjarjes revoltuese të 4 shkurtit 1944 dhe rikujtimi për të gjithë ne se në atë periudhë, gjithë Evropa ka qënë e përfshirë në një luftë të pakompromis për çrrënjosjen e nazizmit.  Kësisoj, qëndresa kundër pushtuesit nazist ka qënë jo vetëm një detyrë patriotike por një mision universal për triumfin e botës së lirë.  Sado rishikim të historisë të bëjmë, këto dy gjëra nuk mund t’i mohojmë dot.  Por edhe sikur të pranojmë logjikën rishikuese të historisë së atyre që e jetojnë atë pasionalisht, siç jetojnë amvisat serinë e Gymyshit, logjikë e cila bazohet te urdhrat e politikës, nuk mund të pranojmë kurrsesi se gjaku i pafajshëm i derdhur nga harbutëria e një ideologjie të shpifur, e ushqyer nga servilizmi i disave të harrohet si pa të keq nga nga shteti sot.  Të mohohet lufta çlirimtare kundër një pushtuesi është hapi i parë drejt negacionizmit.  Të mohohet masakra e popullsive është hapi i fundit, konsumimi i një krimi që nuk ka gjykim në botë që mund ta dënojë.  Sepse të heqësh emrin një rruge, i cili përkujton një kohë të errët të historisë sonë dhe që njëkohësisht na krijon mundësinë të mos harrojmë se “barku që polli ata kriminelë nuk është shterpëzuar ende” (Bertolt Breht), është negacionizëm, jo i një njeriut të vetëm (në këtë rast mund të mendohej se do të ishim në kuadrin e lirisë së shprehjes), por nga ana e vetë shtetit, i cili organizon me vetëdije të plotë seleksionimin e historisë sipas politikës së momentit dhe nuk kryen funksionin e tij të natyrshëm, atë të ruajtjes së historisë nga fantazmat e politikës.

Pëdorimi i Pavarësisë së Kosovës për të kryer këtë krim në mes të Tiranës është shprehje e një akti të mjerë politik.  Me këtë do të thonë se “kush është shqiptar i vërtetë nuk mund të ngrihet kundër vendosjes së emrit të Ibrahim Rugovës një rruge në Tiranë dhe se vetëm komunistët nostalgjikë të Enverit janë kundra”.  Askush nuk është nostalgjik i kohës së Enverit.  Të gjithë jemi për njohjen sa më të mirë të historisë.  Të gjithë duam që Tirana të shprehë larminë e saj edhe nëpërmjet emërtimeve të rrugëve.  Të gjithë duhet të përfaqësohen, të gjitha ata që kanë thënë fjalën e tyre, që kanë vepruar dhe që kanë vdekur që Shqipëria të jetojë e lirë.  Askush nuk ka të drejtë të shkelë mbi kujtimin e të vrarëve, akoma më tepër të pafajshëm.  Një këshill bashkiak, kryetar bashkie ose një qeveri janë shumë pak për të patur të drejtë jetë ose vdekje mbi kujtimin e atyre që kanë vuajtur dhe kanë dhënë jetën për Shqipërinë.

Stavri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *