Demokratë! Na dhuroni demokracinë!

Që të largohet Berisha, sot ka vetëm një zgjidhje praktike: të bashkohemi rreth liderit kundërshtar, që sot është Z. Edi Kristaq Rama. Por, për një pjesë të madhe të skeptikëve këtu qëndron problemi, pikërisht tek individi i Z. Rama. Sepse ata pretendojnë që edhe Z. Rama nuk është ndryshe në krahasim me Z. Berisha. Pra tek e fundit, duhet të zgjedhim midis Berishës dhe Ramës.
Edhe pse problemi mund të duket i vështirë për një grup njerëzish, në të vërtetë është shumë i thjeshtë. Pse është i thjeshtë? Duhet  vetëm të kuptojmë dhe pranojmë që Berisha është 1-shi. Ai ka dhe shumë cilësi të tjera, që të gjithë i dimë.
A nuk jeni dakort që sot Z. Berisha është njeriu më i fuqishëm politikisht dhe ekonomikisht në Shqipëri?! Rama në rastin më të mirë ose dhe më të keq (varet nga këndvështrimi)  vjen në vend të dytë.
Rrezikut që Rama mund të jetë më keq se Berisha, i vjen në ndihmë vetë largimi i Berishës, sot.
Nëse ne si popull arijmë të largojmë sot Berishën, nesër do të mund të largojmë këdo tjetër që gabon, lehtësisht, shumë lehtësisht, do shpëtojmë një herë e mire nga politikanët që abuzojnë me demokracinë.
Berisha duhet sakrifikuar. Që nga fillimet e Shtetit Shqiptar, populli i varfër, i shtypur, deri diku edhe injorant, ka ndenjur urtë, squt fare thotë një i njohuri im. Mbreti Zog u largua me pushtimin fashist, Enveri cofi vetë, Komunizmi (krahas meritave të lëvizjeve studentore) ra si pasojë e zhvillimeve globale, Berisha në ‘97 u largua si rezultat i piramidave (sot jemi larg një situate kaq dramatike), Metën e hoqi Nano, Majkon e hoqi Nano, Nano në 2005 u largua vetë, iu mërzit puna nga Kryeministër e poshtë (e ndihmoi dhe Meta). Pra më thoni kë kemi larguar ne, populli shqiptar?!
Sot është moment i duhur. Hajde të largojmë Berishën, paqësisht kuptohet!
Të provojmë Ramën. Po s’na pëlqeu edhe Rama, e largojmë edhe atë. Mund të bëjmë dhe një vlerësim; kur  të vijë dita që edhe Rama duhet larguar, nëse duhet të risjellim sërisht Berishën në pushtet (ky ka plot durim) apo të kërkojmë lidera të tjerë…
Ne si popull duhet të tregojmë që mund të largojmë politikanë nga pushteti, ne duhet të japim një shembull. Natyrisht që në një vend demokratik, ky largim realizohet me votë. Po pikërisht këtu qëndron problemi, tek vota e lirë. Dyshimi është që Berisha ka “vjedhur” vota. Vetëm dyshimi nuk mjafton. Dyshimi duhet vërtetuar: me hapjen e kutive. Kështu që, kërkesa e Opozitës është më se legjitime dhe mbi të gjitha e moralshme.
E nëse nga hapja e kutive rezulton që Berisha nuk ka vjedhur, atëherë le ta gëzojë pushtetin, sepse e ka votuar sovrani. Por cfarë fitojmë nëse nga hapja e kutive del që nuk ka patur shkelje? Fitojmë shumë. Fitojmë besim në vetvete, që më në fund paskemi realizuar zgjedhje të lira e të ndershme dhe jo vetëm kaq, por bëjmë shembull edhe hapjen e kutive, që nesër nëse i teket dikujt tjetër të ndërhyjë ilegalisht në procesin zgjedhor, të mendohet mirë, të mendojë për pasojat…
Po sikur nga hapja e kutive të dali që kanë vjedhur të gjithë, kush më shumë e kush më pak, atëhere vërtet që është telash i madh.
Berisha hap kutitë, ose largohu!
Por  Njëshi kutitë s’i hap dhe vetëm opozita nuk mjafton. Duhen edhe njerëz demokratë. Kësaj here e kam në kuptimin e ngushtë të fjalës, se në kuptimin e gjerë demokratë janë edhe socialistët, demokratë mund të jenë edhe të lëkundurit apo jo-partiakët. Duhet ndihma e demokratëve. Them demokratë në kuptimin e ngushtë, dmth ata që votojnë PD-në, por mos më keqkuptoni se nuk e kam fjalën për delegatët e Kuvendit të PD-së, se ata e thanë fjalën e tyre, as për militantët dhe as për anëtarët e PD-së. Këtu e kam fjalën për demokratët e thjeshtë, ata që thjesht janë të djathtë dhe jo ata që kanë konflikt interesi me bizneset e tyre apo që paguhen nga buxheti  i shtetit, se dhe ata i mirëkuptoj për zgjedhjen e tyre egoiste.
Demokratë të djathtë bashkohuni me demoratët e majtë për një të ardhme demokratike të Shqipërisë. Demokratë sakrifikoni  sot, që të fitoni nesër. Demokratë, ju përgjërohem, na dhuroni demokracinë!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *