Dembelët janë midis nesh

Si do të ndihej kjo gazetare sikur e njëjta gjë të thuhej dhe për shqiptarët? Do të dilte me shpatë në dorë dhe do të mbronte me penën e saj të thyer shqiptarët dhe do të na përmendte Elsa Lilën, Fadil Berishën, gruan e kitaristit të Korn dhe shpikësin e Viagrës për të na ilustruar se ky komb ka nxjerrë perla. I njëjti komb ka nxjerrë dhe këtë gazetare dhe kësisoj dhe ne mund të arrijmë në disa përfundime shpejt e shpejt se në fund të fundit çdo komb paska dembelët e tij dhe se këta edhe mund ta kenë në gjak këtë veti.

Sjellja ndaj romëve, pas kësaj hyrjeje të shkurtër, tashmë është mëse e kuptueshme. Shteti që kemi nuk di ç’janë të drejtat e njeriut dhe të minoritetit, nëse ky minoritet është i pambrojtur nga ndonjë shtet amë, diku përtej kufirit. Shteti ynë nuk mbron shtetasit e tij, pavarësisht etnisë, por është pasqyra më e poshtër e fobive ndaj tjetrit, tjetrit që nuk është si ty, nuk mendon si ty dhe vepron përtej normave të lejueshme prej shumicës. Shteti ynë nuk është shtet që të merret me hallet e popullit, nuk është shtet që ndihmon, por stigmatizon, siç bën gazetarja: “u kemi bërë shtëpi, pse nuk shkojnë?”. “Ja ku janë banesat sociale, pse nuk shkojnë atje të jetojnë si njerëz”. Këto janë përgjigjet që japin dinjitarët tanë. Nuk kanë kohë të merren me njerëz që nuk janë të denjë për standardet shqiptare. Po kush janë standardet shqiptare? Ka standarde Shqipëria? Shqipëria është lënë në mëshirë të fatit bashkë me popullin e saj, është lënë në mëshirë të të fortëve, të cilët ushtrojnë dhunë mbi shtresat më të pambrojtura, më të stigmatizuara. Dhe ne, në vend që të godasim shpurën e Delijorgjëve, bandita vrasësi të etur për para (ndoshta një prej standardeve të identifikuar shqiptarë), tërheqim veshin e romëve si dembelë dhe të pagdhendur.

Ka dhe më keq. Sjellja ndaj etnisë rome mund të ishte krejt e patolerueshme nëse në vend të indiferentizmit të shtetit, do të kishim një organizim të strukturuar mirë të “disiplinimit” të tyre dhe në vend të gazetareve që shprehen ligsh për shkak të dembelizmit të tyre për të mësuar më shumë për të tjerët, të kishim gazetarë që të bënin thirrje për eliminimin e tyre. Shtete të tilla ka. Ka dhe në Evropë. Disa prej tyre dërgojnë dhe përfaqësues në Parlament. Por nuk jemi në këtë derexhe. Në absurdin tonë ende nuk kemi rënë kaq poshtë. Po duhet punë, në mendje dhe me vepra për të pranuar tjetrin, për ta ndihmuar dhe për ta njohur. Një shoqëri e shumëfishtë është thesar. Po aq sa një shoqëri që shpreh mendimin e saj lirshëm. Të dyja këto kërkojnë njerëz që nuk janë dembelë në gjykim.

Stavri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *