Dasara dhe Gjeta gjetën parajsën

I duhet shpjeguar të rinjve në këtë vend se gjithkush e ka këtë mundësi sepse shoqëria, shteti, entet private, OJF-të nuk kursejnë asgjë dhe askënd për t’i ndihmuar këta të rinj e të reja, mbesa dhe nipër të mijëra anonimëve të botojnë libra, të hartojnë dhe jetësojnë projekte, të jenë në lartësinë e ambicjeve të tyre të shëndetshme. Në kushtet që jemi sot, këtë gjë nuk mund t’ua shpjegojmë pa hasur në cinizmin e tyre legjitim.

Ka një fenomen tjetër që meriton një lloj vlerësimi, kryesisht negativ. Në krye të Arkivave të Shtetit shqiptar është emëruar Gjet Ndoji, me sa kam dëgjuar ish punonjës rendi. Ka zëvendësuar Nevila Nikën, historiane, padyshim më shumë e lidhur me Arkivën se drejtori aktual. Kur u shkarkua shumë persona të ndritur shprehën habinë për këtë veprim të Kryeministrit. Në fakt, ata ankoheshin për një akt shkarkimi të një profesionisteje të vërtetë dhe emërimin e një personi tërësisht partiak. Në fakt në fakt, personat që dolën në mbrojtje të ish drejtoreshës ishin ata persona “ilustër” që kishin mundësi praktike të krijuara nga Drejtoresha personalisht, t’i hynin thellësive të Arkivës, për shkak të emrit të tyre. Pa dashur të mohoj meritat profesionale të ish drejtoreshës, jam i bindur se me shkarkimin e saj ka ikur nga ajo detyrë një police politike në shërbim të ish Kryeministrit dhe ka ardhur një polic rendi, në shërbim të vetvetes. Në të dyja rastet, fatkeqësi.

Erdhi Gjeta në krye të Arkivës. Shumë bukur. Por e kam shumë të vështirë të kuptoj çfarë po bën me atë Arkiv si drejtues hierarkik, sepse ndërkohë, falë dy tre artikujve të botuara prej tij në shtyp, po zbuloj Gjetën studiues.

Dhe kjo s’ka shumë bythë ku të rrijë. I është futur vënçe studimit të periudhës komuniste, saktësisht, shtypjes së egër të Enverit kundër katolikëve. Dhe jep të gjitha detajet e mundshme dhe të imagjinueshme në shtyp. Asgjë nuk është e sajuar, çdo gjë që ka shtjelluar qëndron. Por, Gjeta nëse nuk e di, duhet dikush t’ia thotë se Arkivat nuk hapen vetëm për Drejtorin e Arkivës dhe se tani që është drejtues administrativ i memorjes së kombit, studimet duhet t’i lërë mënjanë dhe të hapë dyert për studjuesit që nuk janë drejtues arkive, pra 100% të trupës akademike që duhet dhe dëshiron me siguri të bëjë hulumtime në këtë fushë. Gjeta nuk ka asnjë pushtet diskrecionar të hulumtojë dhe të drejtojë njëkohësisht. Është thjesht një abuzim me detyrën e tij, që në kontekstin e rrëmujshëm shqiptar, ku askush nuk di se çfarë bën dhe ç’duhet të bëjë, është një abuzim që do të kalojë shumë lehtë. Në fund të fundit, secili përpiqet të gjejë parajsën e tij në tokë, para se ta synojë në qiell.

Stavri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *