Cinizmi i strategjisë ruse dhe Shqipëria

Faktori tjetër, mjaft i rëndësishëm, që e plotëson atë ekonomik, është jetëgjatësia e politikave të jashtme, e cila në rastet e shteteve autoritaritariste si Turqia dhe Rusia bëhet edhe më i ndjeshëm.

Kështu në konfliktin sirian, roli i Rusisë është dukshëm më vendimtar sesa ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo shpjegohet nga njëra anë, me ndryshimin e herë pas hershëm të kursit politik amerikan nga administrata Bush te ajo e Obamës. Njëra ndiqte politikë interventiste, tjetra ndjek politika ushtarakisht pasive.

Nga ana tjetër Rusia drejtohet prej një personi të vetëm prej 15 vjetësh dhe nuk ka ndryshuar asnjëherë kurs politik, duke i dhënë asaj një zë më koherent dhe më autoritar në marëdhëniet ndërkombëtare.

Në rastin e konfliktit sirian, Rusia arriti të zmbrapsë sulmin e mundshëm amerikan dhe të NATO-s mbi regjimin e Asadit, duke arritur një sukses diplomatik jo të papërfillshëm. Kjo sepse për herë të parë krijoi perceptimin në opinionin publik që Rusia kontribuoi në mënjanimin e një lufte të përgjakshme.

Por diplomacia ruse punoi mjaft mirë edhe pas kuintave duke i “ngecur” SHBA-ve pjesën e vështirë të planit. Demontimin e arsenalit kimik të Asadit. Kjo është një barrë të cilën jo gjithkush mund ta mbajë sepse demontimi bëhet me kusht. Rusia do të dëshironte që armët të  demontoheshin në territore mike. Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithashtu. Kjo do të siguronte një kontroll dhe një siguri mbi të gjithë procesin duke mos lejuar manipulime ose keqpërdorime nga pala tjetër. Po cilat mund të jenë kushtet e negociatave midis Rusisë –Sirisë – SHBA-së?  Sigurisht që demontimin nuk mund ta bëjë vetë Asadi në tokë siriane. Kush garanton që procesi kryhet me rigorozitet deri në fund? Por as shtetet fqinje nuk mund të marrin pjesë. Ata janë armiq ose partnerë të Damaskut, dhe kush prej Rusisë kush prej SHBA-së përjashtohet nga plani.

Sot jemi në dijeni të  lajmeve të pakonfirmuara, që një numër i konsiderueshëm shtetesh europiane, nuk ka pranuar ngarkesën me lëndë helmuese nga Siria, që në ditët e para të diskutimeve. Por shpesh këto janë spekulime. Arsyeja e vërtete e përjashtimit të tyre është mosaprovimi i Rusisë për disa dhe i SHBA-ve për disa të tjera dhe jo refuzimi i vetë kandidatëve siç spekulohet në media.

Greqia për shembull do ti pranonte mjaft lehtë këto armë nëse njëra midis dy superfuqive nuk do të ishte kundër. Ka më shumë se disa arsye që e bëjnë Washingtonin të jetë kundër një kandidature të tillë…

Ndërsa shtete si Franca kanë staturën dhe barazlargësinë e mjaftueshme diplomatike  për të qenë kandidaturë e pranueshme prej të dyjave. Por Franca zgjodhi te mbajë një qëndrim pasiv edhe pse pak muaj më parë ishte pro ndërhyrjes ushtarake në Siri.

Kështu vijmë te Shqiperia, e vogël dhe e papërfillshme. Për Washingtonin destinacioni është perfekt, për Moskën jo. Putini i ka delimituar qartë interesat ruse në Ballkan, në krah të Serbisë, ndërsa Shqipëria është e njohur për rreshtimin pa kushte në krah të aleatit të madh perëndimor. Por nga ana tjetër Moska nuk ka asnjë pretekst të vlefshëm për të refuzuar Shqipërinë.

Këtu fillon loja e nëndheshme. Mediat ruse nuk njihen si media të pavarura aq më pak si media investigative. Por ja që lajmin se ishte planifikuar Shqipëria si pritëse e ngarkesës speciale të Assadit e nxorën mediat ruse, madje plot me detaje mbi sasinë e frikshme të helmeve, detaje për pseudondihmën ruse nëse Tirana pranonte, plot 2 milion euro qesharakë, ekspertë rusë dhe mirënjohja e thellë e Moskës për këtë shërbim të vyer ndaj njerëzimit.

Lajmi që u hodh në Rusi, nuk u mor për disa ditë nga asnjë media perëndimore, por u prit në mediat serbe…

Një tymnajë e madhe filloi të ngrihet edhe në Tiranë dhe nëse nuk duam të mbetemi naivë, duhet së paku të dyshojmë që këtë mund ta kenë stisur politikanë, gazetarë apo njerëz me influencë, të cilët kanë një farë afërsie mistike me qarqet serbe dhe të kurdisur nga Moska.

Duhet gjithashtu të dalim në konkluzionin, duke u bazuar jo vetëm në dyshime, që loja e Rusisë dhe aleatëve të saj ishte aq e përpiktë, saqë sot SHBA-të ndodhen me një barrë të jashtëzakonshme të cilën nuk dinë se ku ta shkarkojnë, duke marrë njëra pas tjetrës JO-të e pritshme të Francës, Belgjikës, Norvegjisë por sidomos atë të papritshmen të Shqipërisë. Është ironik fakti që armët kimike të cilat i kanë mbetur në dorë SHBA-së janë prodhim dhe dhuratë ruse për regjimin aleat të Asadit. Ka shumë gjasa që çaktivizimi i armëve dhe procesi tjetër i shpërbërjes së helmeve kimike të kryhet në kushte aspak të favorshme teknike dhe sidomos ekonomike, në det të hapur, në një anije të specializuar.

Rusia ka nisur një lojë të cilën mundet vetëm ta fitojë, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndodhen përpara një situate që mundet vetëm të bëhët më qesharake dhe më poshtëruese seç është. Shqipëria në këtë mes ishte veç një gur bilardoje që rrokulliset në vrimën ku e çon lojtari më i mirë. Sot për sot lojtari Putin është ai më i talentuari dhe deri tani ka fituar dy raundet e para.

(Artikulli është  munduar të pasqyrojë një panoramë të jashtme të çeshtjes siriane dhe manovrave gjeopolitike ndërkombëtare, pa dashur të hyjë në analizat e brendshme shqiptare as të arsyeve, shkaqeve dhe risive që sollën protestat në fillim dhe rrefuzimi i Shqipërisë në fund).

Onufri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *