Çfarë u mungon punëtorëve sot?

Gjithçka! Punëtorëve, edhe kur kanë punë, u mungon siguria juridike se kjo punë nuk do t’u hiqet që me tekën më të parë të kapitalit. Sot, fatkeqësisht, po asistojmë në një rrënim të sigurisë për të ardhmen të çdo grupi shoqëror në Shqipëri. Por forca punëtore është ajo më e rrezikuara. E rrezikuar nga fakti se puna sot shikohet si luksi i të mjerëve, kush ka punë nuk duhet të qahet, thuhet rëndom. Dhe në këto kushte, kush ka punë, qoftë dhe me një kontratë me afat të caktuar duhet të jetë i lumtur dhe të mos mendojë për të ardhmen, e cila është më e pasigurt se kurrë. Më e pasigurt sepse pas mbarimit të afatit të kontratës, ai mund të flaket tutje në rrugë, së bashku me familjen e tij, me ëndrrat dhe shpresat për një jetë të denjë. Askush nuk do të merakoset për të, pikërisht sepse juridikisht askush nuk ka më asnjë detyrim të sikletoset për të. E rrezikuar gjithashtu sepse institucionet publike që duhet të kontrollojnë zbatimin e kontratave kolektive, nëse ka, dhe të sigurisë në punë, nëse parashikohen, zhduken dhe bëjnë të paditurin me shukun e parë të parave që ju dalin përpara.

Gjithçka! Punëtorëve u mungon ideali. Ideali i një jete më të mirë, i shpresës për t’u dhënë fëmijëve një jetë më të mirë, i vullnetit për të mos qenë numra të një fushate elektorale, por forcë për të vendosur fatet e tyre dhe të kombit.

Gjithçka! Punëtorëve u mungon organizimi. Por nuk është tërësisht pa shpresë. Gjasat janë të dukshme se gjërat do të ndryshojnë. Së fundi jemi vënë në dijeni të krijimit të organizatës së parë sindikale në sektorin bankar. Përpara mllefit dhe dashakeqësisë së kapitalit, të vendosur përpara një fakti të kryer që nuk e prisnin në një vend periferik si Shqipëria, ata treguan vendosmëri dhe vullnet për t’u bashkuar. Sepse bashkimi është e vetmja mënyrë për punëtorin që nga asgjë, të ketë gjithçka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *