Cfarë mungon në librat e historisë (vazhdim)

Le të shohim disa raste të tjera të mirënjohura që i hasim në literaturën jashtëshkollore.
Familja Durazzo (Durrësi). Një familje e cila nga Durrësi emigroi ne Itali në fund të shekullit të XIV dhe u vendos në republikën detare të Xhenovës. Ata u morën me tregti dhe ngjitën shkallët e pushtetit duke arritur deri në majat e tij.  Në shekullin e XVII ishin familja më e pasur e republikës dhe i kishin dhënë asaj disa Dozhë (Duka që qeveriste vendin) madje në këtë periudhë Xhenova quhej ndryshe edhe republika e “Durrsakëve”. Kjo familje e famshme i dha Genovës 9 Dozhë, 1 Arqipeshkv, Kardinalë dhe diplomatë duke u shndërruar në dinastinë më të madhe të Xhenovës. Marrë nga libri i pinjolles së kësaj familje, Angela Valenti Durazzo.

Një tjetër personazh i cili është mjaft i njohur në historinë Evropiane të shekullit të XVI është Mërkur Bua, arvanitas nga Peloponezi stërnip i Mërkur Bua Zguros dhe pasardhës i më të famshmit Gjin Bue Shpata. Gjithmonë në krye të një grupi kalorësish Shiptarë (të paktën 300), ai u bë tmerr i ushtrive kundërshtare. Një komandant i sprovuar, ai luftoi në krah të ushtrive të ndryshme në një Evropë ku betejat ishin të panumërta. Strategjitë e tij të suksesshme bënë që Mbreti Luigji i XII i Francës ti jepte titullin Kont, ndërsa dhjetë vjet më vonë perandori i Gjermanisë Maksimiliani e vendos në krye të kalorësisë perandorake duke i dhënë edhe gradën e gjeneralit të parë. Në një përpjekje për të krijuar një ushtri të përbashkët kundër ekspansionit Osman; Mbreti Karli i V-të i Spanjës , Maksimiliani, papa Klementi i  XII dhe Republika e Venedikut (në këtë periudhe Mërkur Bua ishte kryegjeneral i ushtrisë së Venedikut) vendosën që të zgjedhin prijës të kësaj kryqëzate pikërisht Mërkur Buan. Ky i fundit u zotua se vëllezërit e tij në Shqipëri do të merrnin armët dhe do të bashkëpunonin me trupat e kryqëzatës… Pa dashur të zgjatemi së tepërmi në figurën e këtij prijësi Shqiptar po përmendim që taktikat dhe strategjitë luftarake që ai dhe kalorësit e tij përdorën u bënë objekt studimi në vitet më pas dhe u përdorë nga ushtritë Evropiane të shekullit të XVI. Varri i tij sot ndodhet në kishën Santa Maria në Maxhore të Trevizos dhe u punua për dy vjet nga skulptori i njohur italian Antonio Lombardi…

Muhamed Ali Pasha është një tjetër figurë e njohur Shqiptare e shekullit të XIX-ë për të cilin librat shkollorë të historisë flasin pak ose aspak, ndërsa do të mjaftonte një “click” në motorrët e kërkimit në internet për të zbuluar material të pafund për jetën dhe veprën e tij. Mbret i Egjiptit, ai fliste vetëm shqip dhe njihte gjithashtu gjuhën turke. Dinastia e Muhamed Ali Pashës zgjati 150 vjet deri në 1958 me mbretin Faruk.
Është për tu habitur sesi figura të njohura botërore me origjinë shqiptare të së shkuarës lihen në harresë, mbase për arsye se kontributi i tyre për Shqipërinë është i vogël ose në ndonjë rast inekzistent. Kjo nuk do të thotë që historia e vendit tonë duhet te mbushet vetëm me ata bijë e bija të këtij kombi të cilët lindin e vdesin në trojet e tyre, aq më tepër kur historia e Shqipërisë është një histori  eksodesh masive. Psh. Në librat e historisë në shkollat e mesme flitet për Nënë Terezën. Edhe ajo është bija e këtij kombi, megjithëse edhe ajo si të tjerë të cilët përmëndëm më lartë, kontributin e saj e ka dhënë për popuj të tjërë dhe larg vendlindjes…
Një karakteristikë e shqiptarëve që shihet edhe në ditët e sotshme është pamundësia për të shkëlqyer në Atdhe dhe shpërthimi i talentit apo gjeniut të tyre në dhe të huaj. Një anekdotë shumë domethënëse që mbase nuk na ndihmon të kuptojmë arsyet e këtij fenomeni por që megjithatë ia vlen të shkruhet: Muhamed Pashai i Egjiptit në një letërkëmbim me Ali Pashain e Tepelenës kritikonte këtë të fundit duke i thënë : “ Cfarë bën kështu Ali Pasha, po vret vëllezërit tanë?!” – duke iu referuar masakrës së Sulit. Ndërsa Ali Pashai i përgjigjej: “Muhamed Pasha, ti në Misir (Egjipt) vret një dhe të dëgjojnë dhjetë, mua këtu më duhet të vras dhjetë që të më dëgjojë një”…

 

                                                                                                                              Onufri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *