Çfarë është akreditimi

Një shembull shumë i qartë është përralla me mbret e akreditimeve të universiteteve private. Gogoli i radhës që është ngritur artificialisht për të trembur fëmijët-studentë dhe për të ruajtur cilësinë e dhjamit të baballarëve të kombit duke vjelur universitetet private sa herë që janë prapa me këtë proces të nderuar, pra të akreditimit. Dhe natyrisht çdo gjë që tremb njerëzit në Shqipëri, ose respektohet, ose adhurohet ose merret me të mira me shpresë se ky Gogol do të bëjë sevap… Ndërkohë, askush nuk interesohet për të parë realitetin e gjërave. Dhe ky realitet kërkon nga ne një sforcim intelektual minimal, i përbërë nga shtrimi i disa pyetjeve shumë banale: Çfarë është akreditimi? Kush e lëshon? Dhe ky që e lëshon, vlen më shumë sesa ai që lëshon Licencën e Institucionit të Arsimit të Lartë (“IAL”) që quhet Këshilli i Ministrave?

Akreditimi është procesi i vlerësimit të cilësisë së një Universiteti. Skuadra të organizuara të Ministrisë së Arsimit në bashkëpunim me forcat e ndërhyrjes së shpejtë të një agjencie që quhet Agjencia e Akreditimit të Arsimit të Lartë mësyjnë në fund të cikleve universitare nëpër IAL për të parë ambjentet, cilësinë e mësimdhënies, numrin e studentëve të regjistruar dhe shumë të dhëna të tjera që lidhen  me mbarëvajtjen e jetës në këtë IAL. Dhe në fund, të këtyre vlerësimeve, Ministria e Arsimit bën një renditje të universiteteve, nga më i miri te ai më koti. Dhe në vitin akademik vijues, studenti, bazuar në transparencën që kryen kjo Ministri do të jetë i/e aftë të zgjedhë të ardhmen më të ndritur të mundshme që të lejon vendi ynë, duke zgjedhur universitetin më të mirë, ose atë që ka raportin kosto/cilësi më të mirë. Në fund të fundit, a duam ta bëjmë arsimin si në Amerikë??

Me paragrafin më lart, shpjeguam dhe pyetjen e dytë dhe vijmë direkt te e treta. Që në fakt del shkarazi nga shpjegimi më lart: akreditimi bëhet nga një institucion hierarkikisht më i ulët se Këshilli i Ministrave. Pra, nëse është vendosur hapja e një universiteti privat duke i dhënë liçencën e duhur, akreditimi nuk është bishti mungues mbi të cilin qëndron si ekuilibrist tërë ngrehina. Ai është vetëm një mekanizëm që tregon se sa vlen realisht Universiteti. Me pak fjalë, akreditimi nuk është ndonje firman qe vendos jetën ose vdekjen e një diplome, as ndonjë shpatë Damokleu që qëndron mbi të ardhmen e studentëve, që mbahet nga ndonjë fije e hollë peri e gatshme të shkëputet në cdo cast…

Nuk besoj se ky arsyetim kërkonte dije të tmerrshme, ose njohuri të thelluara në fushën e administrimit të arsimit të lartë. Kërkonte vetëm pak përpjekje hulumtuese dhe dëshirë për t’i zgjidhur punë vetes. Por jo! Do të ishte shumë e thjeshtë. Po mali i pamundësisë, po shteti që në detin e mungesës së njohurisë për gjërat më të domosdoshme noton si peshk? Dhe rezultati, si gjithmonë është mbetja në vend numëro, baballarë kombesh që pasurohen në kurriz të padijenisë dhe gërrc-mërrce mes universitetesh private për të ditur kush është i akredituar dhe kush jo. Tashmë nuk do të ketë më pyetje “ku je diplomuar”, por “a je dhe nëse je, kur je akredituar…?”

                                                                                                                                                                 Stavri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *