Ç’është kombi

Për sa i përket pyetjes së parë, asaj në lidhje me territorin, përgjigjja është shumë e qartë. Pa përmendur asnjë dokument historik, vetëm duke parë largësinë e Himarës nga kufiri me Greqinë është logjikisht e pamundur që ai territor dikur të ketë qenë pjesë e Greqisë. Po të shtojmë këtu edhe territoret shqiptare që tani i përkasin Greqisë, domethënë kufijtë e Shqipërisë etnike, absurditeti i një pretendimi të tillë duket hapur. Pra, Himara nuk është një tokë greke.
Po popullsia? A i përket ajo kombit shqiptar apo atij grek? Këtu, fillimisht lipset të sqarohet se ç’është kombi? Për këtë ekzistojnë dy pikëpamje, dhe në ravijëzimin e tyre ndihmoi një problem i ngjashëm.

Më 1870, Gjermania pushtoi Alsazë-Lorenën dhe hyri në luftë më Francën. Me këtë rast nisi edhe një “luftë shkencore” mes francezëve dhe gjermanëve. Historianët gjermanë, Shtrausi dhe Momzeni, e bazonin idenë e tyre të kombit te kushtet që përcaktojnë njeriun, te forcat që e komandojnë njeriun pa qenë i ndërgjegjshëm: gjuha, kultura, tradita historike. Në këtë mënyrë, duke qenë se kultura dhe tradita e alsazianëve ishte thelbësisht gjermane, ata e përligjnin pushtimin e saj.
Nga ana tjetër, historianët francezë, Renani dhe Fystel dë Kulanzhi, deklaronin se ajo që i dallon kombet nuk është as raca e as gjuha. “Njerëzit ndjejnë në zemrën e tyre se janë një popull i vetëm kur kanë një bashkësi idesh, interesash, afeksionesh, kujtimesh e shpresash. Ja se çfarë është atdheu, “atdheu është ai që ne duam”. Kështu, duke qenë se alsazianët dëshironin të qëndronin nën Francën, për historianët francezë pushtimi ishte i paligjshëm, dhe kjo parregullsi duhej ndrequr.

Kësisoj, sipas pikëpamjes së parë, himariotët janë pjesë e kombit shqiptar dhe këtë s’e luan as topi. Kultura, traditat dhe gjuha (përfshi edhe dialekti shqiptar me të cilin flasin greqishten) e vërtetojnë këtë. Por, sipas pikëpamjes së dytë, himariotët bëjnë pjesë të ai komb që ndjejnë se i përkasin, në këtë rast – Greqisë.
Pra, teorikisht, ky problem duket i pazgjidhshëm, por vetëm teorikisht ama, sepse një zgjidhje praktike ekziston. Problem nuk është ndjesia e himariotëve se i përkasin kombit grek (në qoftë se e ndiejnë veten të tillë le të ikin në Greqi), por pretendimi i tyre që Himara të njihet si pakicë etnike e kombëtare (vërejmë se etnia dhe kombi janë dy nocione krejt të kundërta dhe është absurde t’i përdorësh shkëmbyeshëm – kjo do të sqarohet pak më poshtë), një pretendim i pabazuar, dhe ja se pse.

Më 1 Shkurt 1998 ka hyrë në fuqi Konventa Kuadër e Këshillit të Europës për mbrojtjen e pakicave kombëtare, konventë që për çudi Greqia nuk e ka firmosur. Sipas Përparim Kabos kjo Konventë përveçse pohon mosdiskriminimin e njohjen e një sërë të drejtash që nuk është vendi për t’i përmendur, flet edhe për kushtet që duhen plotësuar që një zonë të njihet si pakicë kombëtare.
Së pari, pakica kombëtare është një unitet mes popullsisë dhe territorit, dhe nuk mund të ketë asnjë zonë minoritare që nuk ndodhet në kufi shtetërorë me kombin të cilit ata i përkasin. Pra, që Himara të njihet ligjërisht si minoritet duhet që ajo të ketë kufij tokësorë me Greqinë. Dhe, së dyti, për ta forcuar më shumë pikën e parë, Konventa pohon se nuk mund të ketë zona minoritare të lëvizshme. Pra, nëse minoritaret e Dropullit ngrenë plaçkat e shkojnë, ta zëmë, në Fier, diçka e tillë nuk e bën Fierin një zonë minoritare. Kështu, edhe nëse himariotët pretendojnë se kanë ardhur në ato territore nga Greqia, kjo nuk i bën ata minoritarë, dhe territoret e banuara prej tyre zona të pakicave kombëtare.
Dhe, mbi të gjitha, në Konventë thuhet shprehimisht se “mbrojtja e pakicave kombetare dhe te drejtave e lirive te personave që u përkasin ketyre minoriteteve nuk mund te ndahen nga respektimi i integritetit territorial dhe sovranitetit kombëtar te shteteve”. Pra, edhe nëse Himara do të njihej si zonë minoritare, banorët e saj nuk do të kishin as edhe një të drejtë të kërkonin polici apo prokurori greke.

Së fundi, lipset të sqarohet diferenca mes etnisë dhe kombit, pasi disa eksponentë herë pretendojnë se janë minoritet etnik e herë se janë pakica kombëtare. Së pari, duhet thënë se etnia është një nocion më i hershëm se kombi, dmth, etnitë kanë qenë të pranishme para lindjes së kombit, dhe përgjithësisht janë përfshirë në komb. Në ndryshim nga pakicat kombëtare ata, si për shëmbull minoritarët grekë që kanë shtetësi shqiptare dhe kombësi greke, individët që u përkasin pakicave etnike kanë të njëjtën shtetësi dhe kombësi. Në Shqipëri, njihen dy pakica etnike: romët, që janë një popullsi migratore, dhe arumunët apo vllehët, të cilët absolutishit nuk janë rumunë, por janë krijuar nga bashkimi i popullsisë shqiptare me pellgje të izoluara të kolonëve romake që mbetën këtu pas rënies së perandorisë Romake. Sipas albanologut të famshëm Han, emri i tyre rrjedh nga Urrum, që në shqipen arkaike do të thotë romak.
Shkurt e shqip, pretendimet e himariotëve për t’u njohur qoftë si minoritet kombëtar apo qoftë si minoritet etnik, janë të pabazuara si logjikisht ashtu edhe ligjërisht.

Kel Musaj

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *