Censura 2.0

Ka shumë keqkuptime në lidhje me qëllimin që kanë masat drastike ligjore të Kongresit amerikan në lidhje me luftën kundër piraterisë në Internet.  Është krijuar përshtypja, përkrahur ndoshta dhe pavetëdije nga intelektualë të ndryshëm që shqetësohen nga shkelja e të drejtës së autorit, se këto ligje janë të mira dhe se duhet të rregullojnë veprimtarinë e Internetit, si zonë ku nuk ekziston e drejta.  Nuk mund të mohohet dot shqetësimi i industrisë muzikore se përhapja e veprave të mbrojtura nga e drejta e autorit nëpërmjet download-imit (ose shkarkimit) nga faqe Interneti pa autorizim sjell një humbje financiare të konsiderueshme.   Të paktën kjo është deklaruar zyrtarisht dhe disa shifra që janë ofruar lart e poshtë sugjerojnë realisht një gjë të tillë.  Shqetësimi arriti majat me daljen për herë të parë e faqes Napster në 2000, faqe e cila lejonte shkarkimin e veprave nga një përdorues në tjetrin, pa marrë autorizimet paraprake.  Industria muzikore bëri namin derisa arriti të dënojë Napster për përcjellje të paligjshme të veprave në publik dhe, më pas, Napsteri hyri në një rrugë institucionale, duke u kthyer në një faqe me pagesë, ku shkarkimet bëheshin pasi ishte marrë autorizimi nga titullarët e të drejtave.  Gjithashtu, industria muzikore filloi të investonte në shërbimet online, duke parë se fitimet mund të gjeneroheshin edhe duke përdorur shkarkimet nëpërmjet Internetit.

Por nuk duhet ekzagjeruar me një mbrojtje pafre, që në fakt nuk ka si qëllim primar mbrojtjen e të drejtës së autorit, por mbrojtjen e industrisë artistike dhe fitimet e saj.  Me Internetin, bie rëndësia e ndërmjetësve siç janë prodhuesit dhe shpërndarësit e veprave pasi lidhja mund të bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me autorin dhe publikun.

Çështja është se faqet ku promovohet shkarkimi falas pa autorizimin e titullarëve kanë lulëzuar këto kohët e fundit.  Dukshëm vihet re vështirësia e kontrollit të të gjitha faqeve, pasi është vënë re në praktikë se sa herë që bllokohet një ose dy syresh, hapen 3 ose 4 të tjera menjëherë më pas.  Për të mos përmendur çështjen e koklavitur të vendosjes së serverave të këtyre faqeve në vende të botës së tretë ku kontrolli është minimal ose inekzistent.  Dhe duke mos lënë mënjanë dhe faktin se bllokimi i këtyre faqeve jo vetëm eviton shkeljen e të drejtave të autorit por edhe bllokon një shërbim teknologjik që nuk ka asnjë titullar që gëzon të drejtën mbi të (program i shkëmbimit të veprave nga një përdorues në tjetrin) dhe, mbi të gjitha, veprat që shkëmbehen nuk janë të gjitha të mbrojtura nga e drejta e autorit.  Është ky realitet mjaft i ndryshëm që ligjet e reja amerikane e rrokin mbrapsht duke u përpjekur që të përdorin mjete të disproporcionuara, që shkelin lirinë e shprehjes për të mbrojtur të drejtën e autorit.  Të mos harrojmë se e drejta e autorit ka lindur si koncept në Revolucionin francez dhe pikënisje ka qënë mbrojtja e lirisë së fjalës dhe idesë.

Ku qëndron problemi me këto ligje konjukturale dhe si mund të zgjidhet çështja e shkarkimeve të paligjshme?  Të dyja pyetjet kërkojnë studim të thelluar dhe nuk mund të trajtohen plotësisht në një shkrim të shkurtër.  Megjithatë duhet të theksojmë se ligjet e reja janë një rrezik për faqe të cilat promovojnë fjalën e lirë për arsye se ligjet kanë sy objekt të tyre ato faqe të cilat angazhohen, nxisin ose lehtësojnë shkeljet e të drejtave të njeriut.  Me këtë gamë kaq të gjerë veprimi, shumë faqe do të bien pre e këtij ligji dhe i sanksioneve që ato parashikojnë, të cilat janë tërësisht në disproporcion me shkeljen e kryer.  Duhet të kemi parasysh se shkëmbimi i veprave në Internet, në shumicën e rasteve nuk bëhet për qëllime fitimi por vetëm për të përmbushur dëshirën e përdoruesit për të patur një vepër.  Në këtë kuptim, dënohet me burgim vetëm fitimi i munguar i industrive muzikore.  Gjithashtu, në Internet dhe në legjislacionet e deritanishme, ishte krijuar praktika mjaft e mirë e njoftimit paraprak të shkelësit para se të veprohej me anë të procesit gjyqësor.  Kështu, faqet që mund të transmetonin një vepër të mbrojtur nga e drejta e autorit njoftoheshin paraprakisht nga personat e interesuar dhe personi që menaxhonte faqen kishte nje afat të caktuar për ta hequr atë material.  Logjika e kësaj praktike është e drejtë: në një botë virtuale ku informacioni transmetohet shumë shpejt dhe në shumë vende njëkohësisht, do të ishte e gabuar që të dënohej çdokush që transmetonte një vepër të mbrojtur nga e drejta e autorit, pasi mund ta bënte një gjë të tillë pa dashje ose në mënyrë krejt rastësore.  Me ligjet e reja, kjo praktikë eliminohet dhe kalohet direkt në një proces gjyqësor, pasi konstatimit të shkeljes.

Ekziston një zgjidhje kundër kësaj fryme anti-liri që po fryn nëpër botën e qytetëruar.  Në fakt, ka ekzistuar por e kanë harruar dhe kjo vjen ngaqë nxjerrin ligje konjukturale dhe jo ligje për të zgjidhur në mënyrë afatgjatë një problem, siç është ai i të drejtës së autorit.  Kur dolën kasetat audio dhe video, industria muzikore u përball me të njëjtin problem, atë të masivizimit të kopjeve, që përkthehej me një fitim të munguar për të.  Gjykata Supreme e SHBA-ve vendosi se regjistrimi në kaseta video dhe audio nuk përbën shkelje të të drejtës së autorit, por përfiton nga e drejta për të përdorur një kopje për përdorim vetjak.  E njëjta analogji mund të përdoret dhe sot.  Dhe zgjidhja që u dha atëherë ishte pagesa nga konsumatori i një shume të vogël që ishte pjesë e çmimit të blerjes së një kasete audio ose video, praktikë që u shtri dhe për CD-të, me pak fjalë, një lloj mekanizmi kompensimi.  Përse mos të përdoret kjo logjikë për botën e Internetit?  Përse duhet të kufizohet liria e shprehjes dhe përse duhet të futen në burg njerëz vetëm se industritë artistike nuk po zgjidhin dot problemin e fitimit të munguar?  Ligje represive është shumë kollaj të bëhen, por duhet më shumë të punohet për ligje perspective, që zgjidhin punë në mënyrë afatgjatë dhe jo që ndreqin situata aktuale, duke krijuar shqetësime serioze për të ardhmen e lirisë së njerëzve për t’u shprehur, shkëmbyer ide dhe për të inovuar.

Stavri

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *