Byrek me llallë

Në këtë kuadër përshtatjesh, edhe Kryeministri nuk ndenji prapa. U përshtat dhe ai. Përshtati dhe premtimet e tij elektorale. Do të filloj të besoj së shpejti në aftësinë e tij të padiskutueshme në nuhatjen e ndjenjave të popullit të vet. Dhe populli i vet, në dukje e kupton se problemi kryesor mund të jetë ai vetë dhe qeveria që ai drejton, por ky popull e ka të vështirë të ndajë punën e mangët të qeverisë nga mosveprimi dhe korrupsioni moral dhe ekonomik i gjyqësorit. Dhe në fakt, sot, siç e tha dhe Llalla, nuk po diskutojmë më çrrënjosjen e korrupsionit në shoqërinë tonë, por çrrënjosjen e korrupsionit si fenomen brenda Prokurorisë! Vijojmë të biem poshtë, shumë poshtë…

Dhe në fakt, po t’i thuash çdo ditë njerëzve se Ina Rama është puçiste, e korruptuar dhe se është njësh me Kryetarin e opozitës dhe pasi shikojnë, fatkeqësisht se Prokuroria është një armë më shumë në duart e makinerisë korruptive që ka marrë frenat e pushtetit në duar, është e vështirë të mos arrish në përfundimin se edhe ajo ka gjynahet e saj. Në fakt edhe ajo i ka gjynahet e saj, ashtu siç do të ketë mbi kurriz gjynahe të panumërt dhe Adriatik Llalla. Sepse nuk është thjesht çështje personi të mirë ose të keq. Është e vërtetë që kur të vijë dita që të dyja partitë do përtypen dhe do të shtrëmbërojnë turinjtë kur të dalë një emër i caktuar për emërim në një detyrë kushtetuese, atëherë mund të mbështetemi te cilësimi “i mirë” që do t’i bëhet asaj kandidature. Por nuk jemi ende në këto kushte. Sepse një njeri i tillë s’ka për të dalë dhe mbi të gjitha, siç e thashë, nuk është çështje njeriu. Por sistemi.

Një sistem që të shtyn të heshtësh, të shtyn ta dashurosh pa kushte, të shtyn t’ia marrësh ato para që të jep, qoftë dhe duke lëpirë mbrapsht çfarë ke thënë, është një sistem që do të pjellë prokurorë që do të trazonin furishëm në varr Zhaverin e Hygoit, që për një bukë të vjedhur, e mori në qafë në jetë të jetëve Zhan Val Zhanin, prokurorë pazarxhinj, avokatë të shkathët, më shumë sesa thjesht avokatë dhe gjyqtarë të padisiplinuar, që kur i thërret KLD-ja, paraqesin rëndom një raport mjekësor. Sa vulgare!

Nuk e di si mund të ndërrohet një sistem i tillë. Ndoshta me rotacion politik. Ndoshta koha do të bëjë të vetën. Por një gjë është e qartë. Edhe me këtë Kryeprokuror, mezi do e kapërdijmë byrekun e blerë në pazar, anti urinë kryesore të popullit shqiptar, qetësuesin e vetëm të stomaqeve të ushqyera keq dhe të mendjeve të trazuara për pak më shumë drejtësi dhe begati.

Stavri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *