Bukuroshja e shkathët drejtësi

Ish Drejtori i misionit të BE-s për drejtësinë (programi EURALIUS) tha disa fjalë të cilat përbëjnë një kondensim të të gjithë hamendësimeve tona, i fakteve që kemi parë me sy dhe që nuk e dimë për ç’arsye nuk po bëjmë asgjë. Nga të gjitha konstatimet e këtij të huaji të pikuar nga qielli, mund të dalim në dy përfundime: që drejtësia jonë është e paaftë dhe qelbësirë.

Qelbësirë sepse integritetin ia shiti ofruesit më të mirë dhe pasi ofruesit më të mirë u bënë shumë dhe pasi ndër ofrues të mirë dhe të shumtë u bënë dhe politikanët që deri dje ishin në qeveri, filluan të ndërhyjnë në jetën politike duke nxjerrë të pafajshëm fundërrinat e demokracisë shqiptare, Fatmir Mediu, Lul Basha, sa për të përmendur dy syresh. I huaji nuk thotë emra, por fjalët e tij janë të pagabueshme:

“Korrupsioni, nuk është vetëm ai që njerëzit mendojnë, marrja e parave. Korrupsion do të thotë gjithashtu se shumë vendime gjyqësore merren për shkak të influencave politike” dhe “Ndonjëherë, ndonjë gjyqtarë promovohet jo duke paguar, por duke patur mbështetje politike. Kur bëhet fjalë për t’u emëruar në gjykatat e nivelit të lartë, nëse ke lidhjet e duhura mund të promovohesh. Mund t’ju jap një shembull, i cili është vëzhguar nga të gjitha organizmat ndërkombëtare. Të gjthë gjyqtarët që kanë marrë pjesë në procese të vështira, apo cështje rreth të cilave njerëzit ishin vërtetë të zemëruar, për shembull Gërdeci, apo 21 Janari, apo cështje të tjera të rëndësishme, pas përfundimit të tyre, normalisht të gjithë gjyqtarët u promovuan”.

Më qartë se kaq do të ishte fyerje për të vërtetën. Sepse, me sa duket kjo është e vërteta, ata që përmendëm dhe shumë të tjerë që shpresojmë t’u dalë emri janë pasuruar në kurrizin tonë, kanë shpëtuar nga drejtësia në një kohë kur shumë të pafajshëm apo të pamundur nga vështirësitë e jetës pësojnë deformimet e saj çdo ditë.

E paaftë sepse “nuk garanton qytetarët që të ndihen të mbrojtur nga parimi i shtetit të të drejtës”. Shembulli më i fundit, dakord, më pak domethënësi, por ilustrues gjithsesi, është rasti i qytetarit fatkeq që dërgoi një ankim në portalin e denoncimeve të Ministrisë së Drejtësisë. Ky qytetar u gënjye dy herë nga shteti i tij të drejtës prej kartoni: së pari sepse Ministria e Drejtësisë nuk ka bërë asnjë hetim për rastin e tij dhe s’ka denjuar as t’i kthejë një përgigje dhe së dyti sepse emri i tij u bë publik dhe gjyqtarja skiftere ia pa emrin dhe e paditi për shpifje. Në ç’vend të botës qytetari lihet në mëshirë të fatit dhe, sa për ta bërë më të bukur vuajtjen, e hedhin të vetmuar turmave të qenve të uritur për ta shqyer përfundimisht, mos t’i lënë asnjë shenjë dinjiteti?

Sikur të mos mjaftonte shëmtira e veprimit të gjyqtares, një drejtoreshë thonjpërlyer e Ministrisë së Drejtësisë bëri sikur nuk dinte juridik. Por, siç ndodh në rastet kur kërkon të justifikohesh, iu çorr maska dhe u kuptua se nuk bënte gjasme: ajo s’dinte as procedurë as parime juridike. Si ka mundësi që Ministria e Drejtësisë nuk e dinte dhe duhet të priste urdhrin e komisionerit të mbrojtjes së të dhënave personale se NUK duhet të publikonte emrin e personit që kishte denoncuar gjyqtaren? Dhe pasi shpalosi tërë pjatën e parë dhe të dytë të injorancës së saj të thellë, e mbylli me ëmbëlsirën e famshme “fajin e ka denoncuesi” se “qytetarët duhet të jenë më të qartë dhe të saktë në denoncimet e tyre”. Zonjë e trashë, ju takon ju si institucion që paguheni nga ne që t’i përzgjidhni denoncimet pa u rënë në qafë njerëzve. Kështu dekurajoni qytetarët të denoncojnë dhe tregoni se ai i huaji i BE-së ka të drejtë. Dhe ç’është më e keqja, ndoshta do të vazhdojë të ketë të drejtë.

Stavri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *