Borxhlinjtë

Në fakt, që të qëndronte paralelizmi, do të duhej që Presidenti, së bashku me nderimet protokollare që iu bënë Zogut, t’i falte dhe pushtetin nipit të tij Princit, dhe ta shpallte menjëherë Shqipërinë monarki.  Aty borxhi do të lahej totalisht.  Dhe këtu kapim sërish një majë tjetër absurdi në Republikën tonë: nderimin nga Republika (e tipit parlamentar) të një despoti, i dhënë aq shumë pas despotizmit sa e shpalli veten Mbret të një monarkie pseudo kushtetuese, duke minuar në themel formën e regjimit tek e cila identifikohet shumica dërrmuese e shqiptarëve, por që fatkeqësisht ende është e rrezikuar nga aventurierët e pushteteve.

Nuk e di në c’kategori duhet vendosur protokolli i rivarrimit te eshtrave të Zogut dhe fjalimi që mbajtën dy borxhlinjtë tanë të Monarkisë: në kategorinë e ndjenjës personale të simpatisë ndaj periudhës së regjimit të Zogut (?!), në kategorinë e një injorance objektive të historisë, të arsyes shtetërore, të simbolikave republikane dhe të vetë pushtetit që ata përfaqësojnë, apo në dëshirën për të krijuar një substrat të ri ideologjik, në pritje të një kurorëzimi tjetër të dikujt që, në rastin më të pakët, e shikon praktikën e Zogut si një ide gjeniale për t’u kopjuar?

Në të treja rastet, dy borxhlinjtë tanë shkelën rëndë institucionet e Republikave të tyre.  Nuk besoj se kanë ndonjë simpati të madhe ndaj Zogut, sepse fryma në të cilën janë rritur dhe edukuar nuk i përqas kurrkund me historinë e familjes mbretërore.  Por dhe nëse pasioni u ka lindur këto kohët e fundit, më mirë t’i mbanin për vete, sepse ata përfaqësojnë më shumë sesa vetëm dëshirat e tyre personale.  Kjo është minimumi për dy Presidentë Republikash.

Besoj pak më shumë variantin e dytë.  Besoj se, si në shumë fusha, shqiptari, i madh dhe i vogël, nën goditjet e dallgëve të tranzicionit, ka marrë dhe disa goditje ballore që e kanë larguar nga referime që çdokush duhet t’i ketë në një shoqëri të shëndetshme.  Nuk ka pse dy Presidentët tane të bëjnë përjashtim.  Ata janë vënë aty si pasojë e një rastësie fatlume për ta, pasi askush nuk i priste.  Detyrën, kam frikë, e shikojnë më shumë si pjesë të një ceremoniali të përjetshëm, drejtuesit e të cilit ata do të jenë gjithmonë.  E shikojnë detyrën si pjesë e një feste ku duhen kremtuar të gjithë, gjithçka, kudo, ngahera, përgjithmonë, mjafton të dalë një grup i caktuar që të jetë aty i pranishëm.  Janë lumturues të përjetshëm të kujtdo që ka një sebep.  Ata bëjnë dhe thirrje për bashkëpunim, për koordinim veprimesh, sepse në një shoqëri të lumtur, siç e shikojnë ata shoqërinë nga ballkonet e tyre të rimodeluara, çdo gjë duhet të bëhet me një dialog, ku mundësisht njëra palë të ulë hundën në favor të palës tjetër, e cila gëzon mbështetjen e borxhlinjve tanë.  Sepse, në kuadër të detyrës së tyre, ata nuk janë mëkëmbës të regjimit Republikë por mëkëmbës të regjimit shkurt.

Dhe këtu qëndron problemi madhor në lidhje me ceremoninë e organizuar.  Nuk ishte një ceremoni e thjeshtë rivarrimi të një shtetari.  Nuk ishte një ceremoni e thjeshtë rivarrimi të një patrioti (thonë se ka qënë…), ishte një sinjal i qartë i krijimit të një substrati ideologjik në përfitim të despotit të radhës, drejtuar të gjithë shqiptarëve dhe të ardhmes së tyre.  Ishte sinjali se, këtej e tutje, nga ky shtet do të nderohen ata që “në luftë veç largohen nëse janë të lindur tradhëtorë”, ata që e drejtojnë këtë vend me dorë të hekurt dhe me intriga, pse jo duke bashkëpunuar me faktorin antishqiptar, me atë që nëpërmjet këtyre intrigave mund të qëndrojë në pushtet.  Fjalimet e analistëve tanë për gjoja rimëkëmbjen e shtetit në kohën e Zogut janë gjepurat e radhës.  Nga dëshira e madhe për të qënë në qendër të gjithçkaje, si ekuilibrista cirku, ngrenë teorinë e shtetformimit, në krye të të cilës ka qënë Zogu. Jo, në krye të themelimit të shtetit shqiptar ka qënë Ismail Qemali.  Mjafton të shikohen arkivat, të cilat tashmë janë të botuara dhe të aksedueshme në çdo librari të Tiranës.  Ai ka hedhur themelet e shtetit shqiptar dhe atij duhet t’i përulemi.  Gjithashtu, po na thuhet se Zogu ka bërë shumë për infrastrukturën në vend.  Aq shumë sa italianët nuk hynin dot në territor me mjetet e tyre luftarake qesharake…  Por edhe sikur të bëjmë një krahasim, jam i bindur se i ndihmuar nga të gjitha fuqitë njerëzore dhe mbinjerëzore, sikur Zogu të qeveriste ne vitet ’70 në Shqipëri, nuk do të ishte dot kurrë ne gjendje të ngrinte hidrocentrale, me të cilat ushqejmë ende sot buxhetin tonë.

Prandaj, nuk duhet të lakmojmë despotë, por njerëz që në qendër të vëmendjes vendosin kombin, shqiptarin përtej kufijve dhe të drejtat e tij, civile dhe kombëtare.  Nuk na duhen lidera që kapen fort pas pushtetin, që e vënë atë në qendër të vëmendjes dhe që kombi dhe shqiptari duhet të vërvitet rreth e rrotull vetëm për për ta ndihmuar satrapin e radhës të rrijë në pushtet.  Na duhet një demokraci, brenda kornizës së Republikës Parlamentare, demokraci e drejtuar nga idetë e rilindasve tanë, shtetarëve tanë të parë.  Atyre po, duhet t’u jemi borxhli tërë jetës.

Stavri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *