Boll ma!

Thamë që erdhi koha të bëjmë një bilanc. Deri më tani kemi konstatuar të gjithë shumë fenomene që nuk shkojnë në Shqipëri. Një miku im më tha pas një udhëtimi në kryeqytetin e një vendi fqinj por jo kufitar, Beogradi, se në fund të fundit kishte shkelur në një vend ballkanik, po ndryshimi me qytetet tona (në fakt Tiranën vetëm) ishte kryekëput thelbësor. Ndoshta në këtë ndryshim radikal ka gisht dhe mungesa e demokracisë së brendshme në partinë më të madhe të opozitës, nuk e vë dorën në zjarr, po them mbi të gjitha se kjo është një nga aspektet e varfërisë pluridimensionale që na ka kapur në formë ngërçi qënien tonë si pjesë e kësaj shoqërie. Thjesht krahasimi që kemi filluar të bëjmë me qytete fqinj (sa poshtë paskemi rënë) si puna e Podgoricës në Mal të Zi ose në raport me qetësinë dhe artin që vlonte para vitit ’90 në Shqipëri janë në vetvete shqetësues. Nuk është ndonjë çudi sikur të jemi futur në një periudhë regresivo-reaksionare ku do të pranonim një despot në krye të Shqipërisë, por jo çdo lloj despoti, e duam të ndriçuar se po e shikojmë ku po na çojnë disa syresh… Nuk do të ishte aspak çudi sikur dhe kritikuesit më të mëdhenj të qeverisë dhe të gjërave që nuk shkojnë mirë një ditë të bukur të heqin dorë dhe të shpallin disfatën, atëherë po, despoti që do të ketë realizuar një gjë të tillë, i ndriçuar apo jo do të sundojë këtë vend si askush tjetër. Dhe e gjithë kjo diatribë në lidhje me despotin fillon nga një gjendje faktike 20 vjeçare e karakterizuar nga humbja e referimeve, nga çoroditje, nga oreks i tejskajshëm dhe i vazhdueshëm për kulturë, nga llomotitje politikanësh ish teknikë lavatriçesh (profesion i nderuar nëse është nevoja ta them) dhe nga pamundësia për të vlerësuar gjërat ashtu siç duhet. Duam s’duam kjo të çon në rraskapitje mendore me përjashtim të ndonjërit që ose i ka të tepërta, lekët dmth, ose dikush që i ka të pakta, mendtë… I pari që do ngrejë dorën dhe do të guxoj, i pari që do të nuhasë këtë frikë, do të jetë fituesi i llotarisë.

 Që të evitojmë skenare të tillë bonapartesk ose hindenburgian duhet që të ndërgjegjësohemi dhe mos ta konsiderojmë veten të rënë përtokë. Duhet të marrim fatet tona në duar dhe të përcaktojmë qëllime dhe të propozojmë ide. Në këtë kuadër, edhe gjenerali pas shumë artikujsh denoncues, konstatues ose thjesht kritikues sa për kritikë kritike, duhetë hedhë hapat e parë drejt dhënies së ideve sesi mund të dalim nga ky batak ku kemi rënë.
Është e rëndësishme ta kuptojmë se bataku është i thellë. Ja për shembull, në 2005, shqiptarët ose pjesa dërrmuese mendonte se si  do të ndërtonim një park, si do të zhduknim fenomenon plehra në çdo cep pallati, si do fshihnim pluhurat e rrugëve me të njëjtën thjeshtësi si pluhurat mbi televizor, si do ndërtonin një Shqipëri evropiane si nga pikëpamja e fasadës ashtu dhe e brendësisë duke ruajtur dhe mbajtur si ujët e pakëta, ato institucione post revolucion ’90 që ndërtuam. Ndërsa sot, 4 vjet e gjysëm më vonë, kemi probleme me rrogat e funksionarëve, ka rritje të përqindjes së familjeve që vuajnë ekonomikisht, ka një kaos urban dhe rrugor, korrpusioni ndrit si llampa mbi televizor kur ikin dritat, nuk kemi ende vende ku fëmijët, por edhe më të rriturit, të luajnë të lexojnë, të kultivohen dhe të mësojnë se nuk ka vetëm seks, benz, alkool, lekë dhe tallava në jetë, kemi shkatërrime tunelesh qeveritare, përmbytje zonash të urbanizuara pa leje nga qeveria, shpërthime anonime në derë të Tiranës, pranë portit dhe karshi aeroportit dhe më e keqja më pak shpresë për të ardhmen. Kjo nuk ka nevojë të shkruhet, ndjehet.

Dhe tani na lind detyrimi të ndërtojmë, të ngremë kokën dhe të propozojmë, të hedhim ide, ta bëjmë jetën tonë më të gjallë dhe Shqipërinë më aktive. Si? Mbase nuk do jepen në këtë artikull, po është e rëndësishme për ne të gjithe dhe për gjeneralin të mos mbytet në këtë kritikë të kritikës kritike, pasi gjërat janë të qarta: kemi një lidership që promovon injorancën dhe lekun e thjeshtë, duhet të ngremë struktura dhe të gjenerojmë ide që një gjë e tillë të marrë fund, ose të paktën të tregojmë që jeta e tyre është fundi i Shqipërisë, ndërkohë që jeta jonë mund te jetë vetëm e ardhmja e saj. Nuk jemi pak, po jemi të fshehur, të mbytur nga skepticizmi dhe të përvuajtur nga skrupujt. Duhet më shumë kurajo që injorancës gjithpërfshirëse t’i jepet fund.
                                                                                                                                                                 Stavri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *