Bllokojani rrugën budallenjve!

Dëgjoni se ç’thotë eksperti i zjarreve pranë Ministrisë së Brendshme, Leonard Olli për djegien e pashoqe të pyjeve të Shqipërisë: “Prej më shumë se dy muajsh, 850 punonjës të shërbimit zjarrfikës, 800 punonjës të Shërbimit Pyjor, mbi 1500 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga 80 mjete zjarrfikëse të Ministrisë së Brendshme, 15 mjete zjarrfikëse të Ministrisë së Mbrojtjes dhe mjete të tjera të rënda, kanë punuar ditën dhe natën për të mbajtur nën kontroll të plotë situatën problematike të shkaktuar nga zjarrvëniet.  […]  Aktualisht, janë vetëm 17 vatra ende aktive.” (shqiptarja.com).

Për ata që kanë pak kujtesë afatmesme relativisht të mirë, kujtoni çfarë thoshte Kryeministri, eksperti i gjithçkaje për përmbytjet në Shkodër: “operacione shpëtimi të suksesshme, larguam ujrat nga Shkodra, ndërhymë energjikisht dhe larguam gjendjen e fatkeqësisë etj etj”.  Pra kjo mënyrë të foluri është teknikë pune për ta.  Të shmangesh nga “përseja” dhe të ngushëllohesh me “hajt se ia hodhëm kësaj here” është bërë mjeti kryesor qeverisës i 7 viteve të fundit.  Po kjo teknikë pune i përket një budallai ose një dinaku që di si të sillet me delet që ka përpara.  Dhe këto dele bëjnë gjënë më të zgjuar që ua dikton urtësia e deleve të tyre paraardhëse, u hapin rrugë të dyve.

Po e lë mënjanë për pak sekonda dhe unë budallikun tim dhe po marr përsipër të dal pak kundër urtësisë popullore.  Dhe kësisoj më lind dëshira të interpeloj pak Leonardin.  O Leonard, zjarret nuk zgjasin një jetë.  Zjarret djegin sa kanë për të djegur dhe pastaj fiken se nuk kanë ku të shkojnë!  Natyrisht që sot do të ketë vetëm 17 vatra aktive, po ku ishe ti kur ishin 40? 23 vatrat e tjera nuk i ke shuar ti me kreshnikët e tu përtacë por janë shuar vetë pasi kanë bërë kërdinë.  Është e turpshme të shprehet një (sh)tetar kështu kur ndërkohë, çdo kryeqytetas e ka parë realitetin e djegieve vetëm duke ngritur pak kokën në lindje dhe duke parë Malin e Dajtit.  Nëse nuk shuhet dot një zjarr në portat e Kryeqytetit, çfarë duhet të themi për zjarret në vende më të largëta.

Po Leonardi ka gjetur terren dhe flet e pëllet sa të dojë.  Ai i ka kapur majat e shtetit dhe ne nuk na mbetet vetëm ta kemi zili ose ta imitojmë.  Mos kujtoni se një qëndrim i tillë është përulje me turp e dinjitetit.  Atë e kemi konsumuar me kohë, pasi kemi një jetë të tërë që u hapim rrugë budallenjve.  Tani nuk na mbetet vetëm t’i imitojmë dhe të hapim sa më shumë rrugë njëri-tjetrit se kjo situatë nuk ka për të rreshtur ndonjëherë me sa duket.  Jemi ne, pa është Leonardi.  Ai e ka kuptuar dhe flet, pëllet dhe madje merr dhe meritat e shpëtimtarit.  Duhet të ndjekim shembullin e tij që mos të jetojmë në botëra paralele dhe të rrahim ujë në hava kot.

Viroi

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *