“Berisha” – fundi i pjesës së dytë

Vërejtje: Kujdes duhet të tregojmë këtej e tutje me lirinë dhe abuzimin që mund të bëjmë me të, pasi në ndryshim nga politikanët që janë të korruptuar, militantët, që janë disi më pak të korruptuar, militojnë dhe nuk tolerojnë. Nuk tolerojnë psh. heqjen e fotografisë së Liderit të Shtrenjtë nga faqja e murit, por edhe plot liri të tjera të cilat një politikan do i toleronte në shkëmbim të ryshfetit.

– Në fund të pjesës së parë të telefilmit pati një rrjedhje deputetësh nga radhët e PD-së (Ngjela, Zogaj, Bakalli etj). Në fund të pjesës së dytë vetëm një , Oketa. Rendimenti është tepër i lartë por që të arrihet 100%-shi, pse jo edhe më shumë, është e nevojshme një pjesë e tretë me të njëjtin skenar. Duke qenë se neve po na duket se jetojmë në një film, të cilin Kryeministri e imagjinon si telefilm, atëherë është plotësisht i hamendësueshëm akti i tretë, i katërt dhe kushedi se sa të tjerë.
Në këtë telefilm me shumë seri, nuk është e qartë sesi plani i Kryeministrit për të vazhduar spektaklin edhe më tej, mund të mos realizohet…

Pyetje: Nëqoftëse Qeveria pati shumë pak probleme për të kaluar ligje antikushtetuese gjatë pjesës së parë, dhe thuajse nuk hasi fare rezistencë për ta transformuar Kuvendin  në qebaptore kartonësh gjatë pjesës së dytë, çfarë do të ndodhë me ushtarët 100% të bindur gjatë pjesës së tretë që pritet të fillojë pas 23 Qershorit???

– Gjatë intervalit disamujor midis pjesës së dytë dhe të tretës, pra gjatë fushatës elektorale, vërehet gjithashtu edhe rreshtimi i institucioneve teorikisht të pavarura. Në krye të KQZ-së sekretarja e Topallit, në krye të SHISH-it një militant, në krye të Shtetit… t’i lemë vërejtjet me kaq.

Në këto kushte, është gjithmonë e më e qartë se nuk ka asnjë gjasë që Berisha të lëshojë pushtetin, të cilin me aq shumë djersë, manovra, grabitje,pusi dhe dhunë ka akumuluar gjatë dy mandateve si Kryeministër.

Është e vërtetë gjithashtu se: në botëkuptimin tonë dhe vetëm në botëkuptimin tonë arritjet personale të Berishës quhen Sukses, autoritarizmi i tij Forcë, vjedhja Shkathtësi, dhe pushteti pavarësisht vullnetit të votuesve Zotësi.

– Shqipëria është vendi më i varfër në Evropë dhe suksesi vetjak i Kryeministrit duhet të quhet Dështim i shqiptarëve.
– Autoritarizmi i tij mban emrin Paaftësi. Është paaftësia jonë edhe 24 vjet pas rënies së Murit të Berlinit që tolerojmë autoritarizmin e Berishës.
– Vjedhja nuk është shkathtësi e Kryeministrit por Mefshtësia jonë e cila nëse përsëritet quhet Dobësi. Ky është përkufizimi për qytetarët, qeveria e të cilëve i ka plaçkitur nga çdo vlerë, ekonomike, materiale, morale.
– Por kur Shteti iu vjedh qytetarëve edhe vullnetin, atëherë nuk mund të jetë kurrsesi Zotësi e pushtetarit Berisha. Është Nënshtrim i qytetarit shqiptar…

Fundi i pjesës së dytë, fillimi i së tretës.

Onufri

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *