Beri i Parë dhe Zogu i Parë ose Berisha dhe Zogolli

Si për të përforcuar këtë prirje që synon rehabilitimin e imazhit të Mbretit të mrekullueshëm të popullit me gjak blu të Shqipërisë, Qeveria e 2012-s vendosi ta lartësojë figurën e Lartmadhërisë së tij, 100 vjet pasi u pavarësuam nga të tjerët për tu skllavëruar nga tanët.

Për të mos abuzuar me përvjetorin e Pavarësisë, dua ta shkëpus këtë fenomen, pra lubrifikimin që i bëhet figurës së Mbretit Zog, nga kjo ditë e shënuar e historisë së popullit shqiptar. Fakt është që Kryeministri i cili e zboi Lekën, të birin e Ahmetit të Zogollëve, Mbretit të parë të shqiptarëve, duhet të ketë arsye të forta që po e rishkruan historinë. Por edhe në mos pastë arsye të forta, ka me siguri rrethana lehtësuese.

Arsye e qëndrueshme dhe rrethanë mjaft lehtësuese duket se është tendenca e të dyve për të vizatuar kufijtë e Shqipërisë mbi hartat ekzistuese pa përdorur kompas e vizore. Kështu Kryeministri nuk mund ta përbaltë veprën patriotike të Mbretit për sa kohë është identike me të tijën.
Zgjidhja e çështjes së kufirit me Greqinë, duke i dhuruar detin, nuk mund të mos na çojë mbrapa në histori te zgjidhja e çështjes së kufirit me Jugosllavinë në 1925-ën, kur Zogu i dhuroi Manastirin e Shën Naumit. Një paralele e qartë thuajse 90 vjet më vonë nuk mund të mos shtrohet midis dy çështjeve historike. 
Në të dyja rastet kemi vendime gjykate që ua njohin territorin e “diskutueshëm” shqiptarëve. Në të dyja rastet kemi përfaqësues të popullit, mbreti i asokohe dhe mbreti i kësaj kohe që vendos në interes të të gjithëve, pra edhe të fqinjëve. Preteksti, se lëshimet bëhen për t’i dhënë fund një herë e mirë diskutimeve mbi vijën kufitare, nuk justifikon humbjen, në asnjërin prej dy rasteve, të territorit shqiptar në favor të fqinjëve dashamirës. Këto janë vendime që merren një herë e lënë pasoja përgjithmonë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i cili rrëzon paktin detar me Greqinë është histori e kohëve të fundit dhe nuk ka nevojë të shtjellohet sërish duke qenë se është ende i freskët.

Por vendimi konsultativ i Gjykatës Ndërkombëtare, i cili në 1924-ën i njohu Shqipërisë territorin e Shën Naumit,  nuk është aq i njohur për publikun. 
Ja si rrodhën ngjarjet në të vërtetë (asokohe kaq të largët). 

Konferenca e Ambasadorëve në Protokollin e Londrës, atëherë kur u përcaktuan edhe kufijtë e sotshëm të Shqipërisë, në datën 11 gusht 1913 në interpretimin e vendimit përfundimtar për kufirin e Shqipërisë të datës 29 korrik 1913, në pikën 2 të tij thotë “Që tani është e paravendosur se krahina bregdetare deri në Ftelia duke përfshirë edhe ishullin e Sazanit, krahina në veri të vijës greke si edhe kazaja e vjetër osmane e Korçës me bregun perëndimor dhe atë jugor të liqenit të Ohrit, që shtrihet prej fshatit Lin deri në Manastirin e Shën Naumit janë pjesë përbërëse të Shqipërisë.”

Këtu lindi mosmarrëveshja midis shtetit shqiptar dhe atij jugosllav. Shprehja “deri në” linte vend për interpretim. Shteti serbo-kroato-slloven pretendonte se Manastiri i takonte Serbisë ndërsa Shqipëria pretendonte se “deri në”  nënkupton përfshirjen e Shën Naumit brenda kufijve shqiptarë. Kjo mosmarrëveshje u interpretua në 6 dhjetor 1922 nga Lidhja e Kombeve e cila mandatoi Konferencën e Ambasadorëve për të kthyer një përgjigje përfundimtare. Interpretimi përfundimtar ia la sërish Shqipërisë Shën Naumin.

Por Jugosllavia e ankimoi për herë të dytë vendimin e Konferencës së Ambasadorëve pranë Lidhjes së Kombeve. Kjo e fundit  duke konsideruar karakterin thellësisht juridik të interpretimit, ia kaloi për shqyrtim Gjykatës Ndërkombëtare të kohës, Dhomës Permanente të Drejtësisë Ndërkombëtare.
Dhoma e Drejtësisë e mori në shqyrtim çështjen dhe, në 4 shtator 1924, dha mendimin konsultativ sipas kërkesës së Këshillit të Lidhjes. (Cour Suprème de Justice Internationale, avis consultatif nr. 9, në A. Simonard Vep. Cit. p. 403). Ajo e quante çështjen e mbyllur me vendimin e datës 6 dhjetor 1922, duke ia njohur Shën Naumin Shqipërisë.
Por Zogu, disa muaj pas rikthimit të tij në Shqipëri, saktësisht në 28 korrik të 1925-ës, në një takimi dypalësh ratifikoi ndryshimin e kufijve, duke ia dorëzuar Shën Naumin Jugosllavisë… 

Pra Ndërkombëtarët si 90 vjet më parë ashtu edhe sot 90 vjet më pas, siç shihet qartë, janë treguar objektivë por edhe na kanë qëndruar pranë duke njohur brishtësinë e një shteti të vogël si ky i yni. Por “kalanë na e morën nga brenda” thotë një shprehje e cila me siguri origjinën e ka te dorëzimi i Kalasë së Shkodrës, atëherë kur brenda ndodhej Esat Pashë Toptani…

Kështu Kryeministri ia rrit bëmat Mbretit i cili më parë kishte qenë vetë Kryeministër. Ia pastron figurën me shpresë që pas 100 vjetësh një tjetër Kryeministër të marrë shembull e t’ia rrisë vlerat Kryeministrit të sotshëm i cili synon të bëhet Mbret. 

“Përrallat nuk iu mësojnë fëmijëve që ka kuçedra. Ata e dinë që ka. Përrallat iu mësojnë fëmijëve që kuçedrat edhe mund të mposhten”.
E keqja në përrallën tonë me një mbret dhe në historinë që do t’iu mësojmë fëmijëve në shkolla qëndron te heroizimi që i bëhet kuçedrës. 
Ndërsa ne rrimë këmbëkryq e dëgjojmë të habitur kambanat vazhdojnë të bien pa reshtur.

Onufri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *