Një pjesë e tyre arrin të kalojë në mënyrë klandestine në territorin Italian. Por vendi i ëndrave për ata shumë shpejt kthehet në vendin e maktheve. Intoleranca dhe ksenofobia ka kapur cdo qytetar të këtij vendi dhe ky fenomen i ka rrënjët vite më parë.
Pas Marokenëve, ishim ne Shqiptarët që provuam në kurrizin tonë intolerancën dhe diskriminimin. Nofka nga më të shëmtuarat i viheshin emigrantit që vinte me anije dhe që pasuronin fantazitë e femijëve të vegjël, gjatë fillimit të viteve ’90. Prindërit trëmbnin fëmijët me fjalën Albanese, që u bë zëvëndësuesi i përrallave me Gogol. Sot ata fëmijë përbëjnë rininë Italiane dhe gjërat me sa duket po marrin tatëpjetën…
Rumania dhe Bullgaria u bënë anëtare të Bashkimit Evropian në vitin 2007. Mijëra qytetarë nga këto dy vende u dyndën në shtetet perëndimore duke përfituar nga heqja e vizave. Rumunët në mënyrë të vecantë preferuan Italinë. Numri i tyre në Itali u rrit në mënyrë eksponenciale brenda dy vjetëve, duke bërë që komuniteti Rumun të jetë më i madhi në vendin fqinj. Në të njëjtën kohë por me ritme marramëndëse, në Itali u rrit edhe intoleranca ndaj të huajve. Romët, të ardhur kryesisht nga Rumania, janë bërë shënjestra kryesore e ekstremistëve. Sikur të mos mjaftonte kjo edhe qeveria e Berluskonit është veshur me petkun e xhandarit dhe i mban ison politikave intolerante. Edhe mediat, janë rreshtuar duke mbjellë urrejtje, madje ato përbëjnë faktorin dominant në ndryshimin ksenofob qe po përjeton Italia. Duke patur parasysh që Italia është vendi me më pak emigrantë ndër vendet kryesore Evropiane, kjo atmosferë është e pakuptueshme. Një ndër fenomenet më të papranueshme që ka shqetesuar organizmat ndërkombëtarë(UNHCR) por edhe Brukselin, është ai i Rondeve. “Ronde Padane” janë grupe vullnetare, të cilat patrullojne nëpër qytetet e veriut të Italisë, në kërkim të klandestinëve të cilët janë automatikisht keqbërës sipas konceptit ekstremist që po përhapet dita-ditës edhe në popull. Për qeverinë Italiane këto grupe konsiderohen të ligjshme edhe pse përbëjnë një strukturë paralele policore, madje nuk mungojnë as përgëzimet për punën e tyre të vyer…
Pa u munduar shumë mund të gjehen në histori, raste të ngjashme të strukturave paramilitare (edhe pse jo të armatosura) dhe ksenofobe, në shërbim të një partie ose të një ideali. Në Itali ishin këmishat e zeza në shërbim të Musolinit, në Gjermani këmishat e murrme (SA) në sherbim të Hitlerit. Edhe atëhere si sot, bota përballej me një krizë të thellë ekonomike. Përhapja e ideologjive ekstremiste nuk ishte përgjigja më e mirë ndaj krizës, por ishte përgjigja më e thjeshtë. Pasojat dihen…