Bardhë e zi

Shqipëria, vendi me tolerancë zero ndaj korrupsionit. Shqipëria vendi ku për korrupsion janë dënuar zero politikanë. Shqipëria vendi i fundit në Evrope për dorëheqje apo tërheqje politikanësh. Shqipëria vendi i parë në Evropë që ka një prokurori të varur nga ekspertët e huaj.
Shqipëria, vendi i parë për universitete private në botë. Shqipëria vendi i parë në Evropë për numrin e analfabetëve. Shqipëria vendi i parë për shërbim parësor shëndetësor privat. Shqipëria ku vdesin njërës për mungesë të dializës. Vendi ku barnat kushtojnë sa një dreq.
Shqipëria, vendi i standardeve demokratike. Shqipëria vendi ku një proces zgjedhor merr emrin  e një fshati, Dushk apo Ruzhdie. Shqipëria një euro. Shqipëria vendi i parë në botë që ka një rrugë të kombit. Shqipëria vendi ku përditë vdesin njerëz nga aksidentet rrugore.
Shqipëria, vendi ku disa burra dhe gra, të mbirë nga nuk e di se ku, pretendojnë, 20 vjet më pas, se na sollën demokracinë. Shqipëria, vendi ku vriten protestues. Shqipëria vendi ku populli nuk di të protestojë vetvetiu, por vetëm me nismën e politikës. Shqipëria vendi i parë në Evropë për pasivitetin e sindikatave.

Shqipëria, vendi i 6 në botë për tu vizituar. Shqipëria vendi me bregdet të mrekullueshëm, ku derdhen mbeturina dhe inerte për ta zbukuruar. Shqipëria vendi me vila të shkëlqyera politikanësh. Shqipëria vendi ku qyteti i Heroit Kombëtar zbukurohet nga guroret e gëlqeres dhe tymi i gomave të makinave.
Shqipëria, vendi i eksporteve, ku vendin e parë e zë kromi. Vendi ku në minierat e kromit, punohet si në ferr, ku humbet jeta si kavie në laborator. Shqipëria që eksporton plumba të ndryshkur kinezë.
Shqipëria, vendi ku njëri na siguron të gjithëve, për gjithçka që atij i teket. Na siguron se drejtësia do të vihet në vend, do të zbardhet, na siguron që Kryeprokurorja do marri dënimin e merituar. Na siguron që edhe mund të na shtypë, të na vrasë, të na shajë, kur dhe si të dojë. Vendi ku qeshet dhe përqeshet, me njeri-tjetrin, me fatkeqësinë, me dhimbjen, me humbjen dhe me historinë.
Shqipëria, vendi i arrogancës së pushtetit. Vendi pa transparencë, pa demokraci të brendshme partiake. Vendi ku shkelet Kushtetuta nga kuvendi, nga qeveria, nga partitë, nga gjyqtarë e prokurorë.

Shqipëria, vendi ku mbi varret e të parëve dhjesin bagëti e grekë. Shqipëria vendi më i lirë në botë. Në Shqipëri mund të deklarosh cilën kombësi të duash. Shqipëria vendi ku nuk ka një datë kombëtare të çlirimit të pranuar nga të gjithë. Shqipëria vendi i opinionistëve të lirë, të blerë, të shitur dhe puçistë. Shqipëria vendi ku rrihen gjyqtarët, çdo të diel, ata të futbollit e kam fjalën, se atyre të drejtësisë as që ju afrohesh dot me një grusht të mbyllur e agresiv, këta duan valixhe me para për të mbajtur familjet e tyre. Por jo, nuk janë të gjithë njësoj, ka dhe budallenj.
Shqipëria, vendi i një opozite të mërzitshme, me strategji të fshehura në trurin e kryetarëve të partive dhe aspak transparente. Vendi i një opozite që hera herës bën dhe pazare.

Shqipëria, vendi im, vendi jot, ku si unë dhe ti kemi dhënë diçka për këtë Shqipëri, mirë ose keq, kemi marrë frymë në ajrin e këtij vendi, ku nuk fluturojnë më shqiponja.
Jo, mua kjo Shqipëri nuk më pëlqen aspak. Jam gati ta urrej.

 

                                                                                                                                     Gjeneralmegafoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *