Asnjanësit e shtirur dhe mjerimi i medias

Por shumëkush mund të ngrejë pikëpyetje mbi sa më sipër dhe jo pa të drejtë. Sepse ky regull që përsëritet thuajse identik në çdo shtet të botës ka një përjashtim të fortë kur vjen radha tek Shqipëria. I vetmi vend ku natën bie të flesh me një grusht informacionesh të parenditura dhe zgjohesh të nesërmen për të zbuluar që asgjë e re nuk ka ndodhur. Asnjë lajm i ri deri në mesditë. Asnjë hulumtim juridik mbi faktet e një dite më parë, asnjë analizë ekonomike mbi falimentimin e një kompanie, blerjen korruptive apo shitjen badihava të saj. Asnjë kronikë mbi jetët e minatorëve që i përpiu dheu një ditë më parë, asnjë për jetët e mafiozëve apo politikanëve që zotërojnë pasuritë e nëntokës, mbitokës, pyjet, plazhet madje dhe ajrin. Gazetarët kanë fjetur gjumë së bashku me të gjithë qytetarët e tjerë të Republikës, njësoj si të gjithë qytetarët e tjerë të Republikës. Misioni i tyre për ta sjellë informacionin të parët mund të përkthehet fare mirë si misioni i thashethemexhiut për të shpërndarë fjalë i pari, aq më mirë nëse gënjeshtër.

Nëse deri sot këtë fenomen nuk e keni vënë re, atëherë lexojini lajmet sot në darkë dhe verifikoni se ç’të re do ju sjellë e nesërmja, përveçse hiçin.

Problemi i mediokritetit në mediat shqiptare ka arsye të ndryshme por këtu mundet vetëm ta konstatojmë si një ndër plagët e shumta të shoqërisë sonë, ndoshta më e gangrenizuara. Për sa kohë lajmin do ta bëjnë zyrat e informacionit të partive, twitteri i kryeministrit dhe fejsbuku i atij robit tjetër, media mund të quhet e asgjësuar. Nëse lajmi i parë vjen kur i del gjumi Erjon Braçes apo kur ja mbarojnë hartimin Bujar Nishanit, media mund të quhet në vdekje klinike. Rezultati është një konfuzion i përgjithshëm, një tendencë e theksuar e çdo qytetari për thashetheme, intriga dhe konspiracione. “Ai ka vjedhur, ta garantoj unë, sepse njof atë tipin që ka komshi këshilltarin, i cili s’mund të ketë aq shumë lekë sa të blejë një shtëpi në Lalz”. I tillë është niveli i lajmit mediatik, e tillë edhe jehona e amplifikuar rrëmujshëm në popull. Shpesh herë madje, ndjehesh më i informuar nëse nuk i hap fare mediat vendase ose së paku ndjehesh më i lehtësuar.

Perceptimi i qytetarëve, zotimi i qeverisë, kryefjala e çdo organizate ndërkombëtare që vepron në Shqipëri është Drejtësia, duke e identifikuar atë si të keqen më të madhe dhe si të parën ndër reformat që duhen ndërmarrë. Pikërisht në këtë pikë, personalisht, ndjehem i dyzuar, midis Drejtësisë dhe Medias. Sikur të mund të riformohej media (me ligj, me dekret, apo me urdhër nga lartë) jam i bindur që do të ishte kjo e fundit kryefjalë e fjalimit të Merkelit, Obamës, Ramës, Mero Bazes dhe Artan Hoxhës (Artanit gazetar jo Artanit thuajse president) dhe i çdo qytetari tjetër, për vetë rëndësinë dhe rolin që ajo ka në shoqëri…

Një fenomen tjetër, këtë herë grotesk, sërish i lidhur me botën mediatike, sidomos me atë moderne, që përfshin pra, jo vetëm mediat tradicionale por edhe rrjetet sociale, blogjet etj., është tendenca fëminore e opinionistëve VIP dhe atyre jo VIP për të ngjarë asnjanës. Kështu për shembull, një Lubonjë asnjanës është po aq i gënjeshtërt sa Pinoku, me të vetmin ndryshim që duke e përseritur shpesh se nuk mban anën e askujt ka filluar ta besojë edhe ai vetë një rrenë të tillë. Dhe çka e bën më të pakuptimtë asnjanësinë në këtë rast është mungesa e nevojës për asnjanësi në Shqipërinë tonë të dërrmuar. Askush nuk do të dëgjojë një opinion as andej e as këtej për 21 Janarin. Mbase do të donim një opinion asnjanës për problemin e trafikut në Tiranë, por Shqipëria nuk është vendi i problemeve të vogla. Shqipëria është vendi i 97-ës, shqiptarët janë populli i luftës së fundit në Evropë (1999), jemi vendi i Gërdecit, 21 Janarit, vendi ku Fazlliçi merr pjesë në mbledhjen e sigurisë kombëtare dhe ku falet territori me një firmë robi. Faleminderit shumë por nuk kemi nevojë për asnjanësinë e mendjeve të ndritura, aq më tepër kur ajo është e shtirur.

Një Lubonjë apo një Bushat por edhe plot blogera të rinj nën gjurmët e tyre e shesin veten si më të besueshmit, sepse e pozicionojnë veten aty; as majtas, as djathtas, as në qendër, as militantë, as opinionistë, as antisistem, disa as intelektualë, e as përkrahës të proletariatit, pra asnjanës. Si të tillë i atribuojnë vetes një kritikë të shëndoshë që i përjashton nga çdo influencë politike e aq më shumë partiake…

Ja, për këta nuk ka nevojë shqiptari i thjeshtë, i cili është i mbushur plotë e përplotë me dëngla dhe tani i ka ngelur veç ti nxjerrë jashtë gjithë ç’ka përbrenda. Shqiptari është aq i urtë sa të dijë të zgjedhë mes të mirës të keqes apo edhe alternativës së tretë. E sigurt është që nuk e ndjejmë nevojën e këtyre asnjanësve të vrerosur por kemi nevojë si ajri që na jep frymë, për një media profesionale dhe të lirë.

Onufri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *