Arsimi i lartë: reformë financiare pa strategji kombëtare!

Pesë vjet strategji. Pikërisht që këtu fillon problemi. Si mundet që një strategji kombëtare për arsimin e lartë të jetë për një hapësirë kohore 5 vjeçare?! Pesë vjet në arsim janë njësoj si dita e parë e jetës së një njeriu. Jo, strategjia për arsimin duhet të shtrihet në një hapësirë kohore shumë më të gjatë, disa dekada, të paktën sot duhet të veprohet kështu, kur në Evropë janë hedhur themelet dhe ka filluar zbatimin procesi i Bolonjës.

Në këtë mënyrë, duhet një strategji kombëtare, e hartuar me gjithë përfshirje, jo vetëm nga institucionet arsimore (natyrisht që këta duhet të kenë peshën më të madhe), jo vetëm nga politikëbërësit, por edhe nga shoqëria civile, elita intelektuale (ajo jashtë sistemit arsimor), apo edhe vetë qytetarët e vendit (me anë të referendumeve). Natyrisht, në ndihmë të kësaj strategjie do vinin shembujt e panumërt nga vendet perëndimore. Me arsimin nuk bëhet shaka! Kujtoni këtu se me sa debate dhe vështirësi kalojnë në parlamentet apo kongreset perëndimore reformat që prekin arsimin.
Një strategji për arsimin duhet parë në tërësi, ai është i lidhur direkt ose indirekt me të gjitha fushat e tjera të zhvillimit të një vendi. Gjithashtu, nuk duhet ndarë me thikë arsimi parauniversitar nga ai universitar. Por cilat janë faktorët që duhet të ndikojnë kryesisht në strategjinë e arsimit? Mund të përmend disa prej tyre këtu:

1.    Edukimi i individit për tu zhvilluar brenda normave morale të gjithë pranuara nga një shoqëri e shëndoshë. Njeriu “nuk lind” njeri, por bëhet njeri. Natyrisht, këtu ndërthuren disa faktorë, si familja, shoqëria dhe padyshim edukimi shkollor. P.sh. sjellja e të ecurit në rrugë ku mësohet? Po sjellja në lidhje me kujdesin ndaj mjedisit ku mësohet? Po edukata seksuale ku mësohet?

2.    Ruajtja e identitetit kombëtar (gjuha, historia, kultura). A ju besohet që sot në universitetet tona ka “studentë” që kanë vështirësi të mëdha në shkrimin dhe ligjërimin e gjuhës shqipe?!

3.    Strategjitë kombëtare të zhvillimit ekonomik. Këtu duhet pasur mirë parasysh se çfarë sektorësh janë parësorë, si: turizmi, bujqësia, sektori energjetik, teknologjia e informacionit, etj. Sot, flitet shpesh për marrëdhëniet e tregut të punës me arsimin, por fatkeqësisht është një nocion veçse teorik, sepse ndryshe nuk ka si të shpjegohet numri tejet  i madh i të diplomuarve në sektorë ku mundësia e punësimit është shumë e vogël.

4.    Përgatitja e mësuesve të aftë dhe me dinjitet. Sot, profesioni i mësuesit shikohet me skepticizëm nga brezat e rinj, madje disa edhe e përbuzin këtë profesion fisnik (Përse vallë? Kush e ka fajin?), disa të tjerë e refuzojnë për shkak të vështirësive të mëdha për të ushtruar këtë profesion, të tjerë thjesht dhe vetëm për shkak të pagesës tepër të ulët në krahasim me punë të tjera. Sot, dihet që degët e mësuesi-ve janë shumë më pak të preferuara, dhe studentët e këtyre degëve në mesataren e tyre janë nën nivelin mesatar krahasuar me shumë drejtime të tjetra. Por si mundet që të edukohen normalisht  brezat e ardhshëm kur vetë edukatorët e ardhshëm nuk do të jenë në lartësinë e duhur?! Por si mundet të zhvillohet një vend pa arsim të zhvilluar?!  

5.    Arsimi profesional. Ka ardhur koha që arsimi profesional të gjallërohet, në të kundërt nuk do ndodhi gjë tjetër veçse rritje e papunësisë midis të diplomuarve me arsim të lartë, ose punësim jashtë kualifikimit të tyre (kosto e shpenzuar dëm, si në kohë dhe shpenzime monetare të familjes dhe të shtetit), emigrimin e të rinjve (me pasojë plakje të popullsisë), etj. Ka ardhur koha që brezat e rinj të ndihmohen (nga familja dhe shkolla) të kuptojnë mundësitë dhe aftësitë e tyre për të ardhmen e tyre, dhe në varësi të aftësive të tyre sërish të informohen (shteti, universitet) për mundësitë e tregut të punës.

6.    Emigrimi i dijes. Sot me globalizimin është bërë e mundur lëvizja e lirë e forcave të punës dhe të dijes. Po vendi jonë a do të hyjë në tregun e dijes? Konkurrenca në këtë drejtim është tepër e lartë, dhe duket e vështirë që ne të eksportojmë dije në masë, me përjashtim të ekselencës, dhe në këtë rast vendit i shkaktohet një dëm i madh me rrjedhjen e trurit.  Përse e shtroj këtë çështje? Sepse vetëm argumenti i eksportimit të dijes justifikon masivizimin e universiteteve. Për momentin masivizimi i universiteteve është jashtë kapacitetit thithës të ekonomisë së vendit, jashtë aftësive intelektuale të vetë studentëve dhe me kosto financiare të mëdha. Nëse duam të emigrojmë dije, këtë në radhë të parë duhet ta bëjmë me cilësi dhe jo me sasi.
Unë këto ide i hodha duke u menduar vetëm për pak kohë, natyrisht që janë mendime krejt spontane dhe jo shkencore, ndoshta dhe të gabuara. Megjithatë, do të sugjeroja fort rëndësinë e hartimit të një strategjie kombëtare për arsimin, realiste dhe afatgjate, dhe vetëm atëherë mund të diskutohet për reformën financiare në IAL.

                                                                                                                                                   Jani Marka

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *