Apostazia e kombësisë (Boboshticë)

Sot është një kryq i madh që ka vënë përposhtë varreza gjyshërish e stërgjyshërish. Një kryq i ndërtuar abuzivisht në atë tokë, nga kisha pseudo-autoqefale e Janullatosit dhe i meremetuar së fundmi nga OMONIA në përkujtim të një ushtari të vetëm grek, që ka rënë atje gjatë luftës dhe që fshatarët e mirë të Boboshticës e varrosën me të gjitha nderimet. Problemi ngrihet në ditët tona, dhe jo që në 1996-ën kur u nënshkrua marrëveshja mes shtetit pa identitet (por që na përket) dhe Greqisë, sepse rregullimet që iu bënë përkujtimores kanë nxjerrë në sipërfaqe eshtrat e të parëve.

Boboshtarët flasin shqip me vizitorët që vijnë nga rrethe të ndryshme, qëllon t’i dëgjosh edhe greqisht me fëmijët e vegjël ose nipërit e tyre, të cilët kanë lindur në greqi dhe janë rritur përpara ekraneve greke. Por do t’i dëgjosh të flasin gjithmonë shqip midis tyre çka përbën dëshminë e gjallë të gjuhës mëmë në tokën e atjeshme. Nuk e kam të qartë përse disa prej tyre mbajnë pasaporta bullgare, të tjerë pasaporta rumune dhe të tjerë akoma dokumenta greke. Vala e parë e emigrantëve pas 1990-ës iu drjetua Bullgarisë dhe Rumanisë. A mos vallë i përkasin këtyre minoriteteve Boboshtaret? Nuk do të ishte aspak çudi në katrahurën etnike ballkanike.  Duhet të pranojmë që Greqia ndodhet më pranë dhe është shtet më i zhvilluar se dy të tjerët, dhe ja ku u shpjegua edhe fluksi i dytë dhe më i rëndësishmi i emigrimit. Megjithatë  vazhdon të më habisë ajo plaka me shami në kokë e cila i flet shqip djalit të saj dhe e puth në ballë.

Një herë ndërsa shijoja byrekun e pjekur në saç, në një restorant të Boboshticës, i zoti i oxhakut iu afrua tavolinës tonë dhe ngriti një gotë raki së bashku me ne, siç e do zakoni . Nuk i rezistova dot kërshërisë sime dhe e pyeta se çfarë kombësie kishte ose për të shmangur çdo paqartësi, çfarë e ndjente veten?  Burri rreth të pesëdhjetave, me një buzëqeshje të trishtuar nën mustaqe m’u përgjigj: “Kombësinë nuk e bën as gjaku, as defteret e as flamurët. Edhe gjuhë kam folur të shumta në jetë. Kombësia është gjuha që më ka kënduar nëna kur i thithja sisën, kur më qortonte e kur më shëronte plagët e lodrave të fëmijërisë dhe kjo është gjuha që po të flas ty sot… Ka popuj me fat që flasin një gjuhë të vetme dhe ka të tjerë që flasin dy: një gjuhë të mëmës dhe një gjuhë të bukës.”

Për t’u kthyer te tema e ditës në media, temë e cila si çdo tjetër do të harrohet shumë shpejt e do të zëvendësohet, por që nuk i dihet ndonjë ditë mund të bëhet sërish interesante për vëmendjen e shqiptarëve; Pra tema e dhunimit të varrezave për ndërtimin e një memoriali, e cila implikon automatikisht dhe me përpikmëri edhe problematikën e identitetit kombëtar të këtij fshati apo të ndonjë tjetri aty pranë. Unë nuk do ta vija theksin te ruajtja e këtij identiteti, te gjuha, te tradita, te edukimi i brezave të rinj me frymë patriotike. Në një mënyrë apo në një tjetër gjuha shqipe do të ruhet, ashtu siç ka bërë më parë në kushte edhe me të pafavorshme. Më së shumti duhet të merremi me dinjitetin tonë të nëpërkëmbur, shpesh herë nga fqinjë të paskrupullt e të pangopur por sigurisht të ndihmuar nga shteti ynë amtar, i heshtur, inekzistent, i vogël në mendësi dhe dritëshkurtër. Nga një shtet i përbërë prej vetëm kolltukofag
ë të majmur me pushtet dhe burokratë militantë që mbrojtjen e interesit kombëtar dhe mbrojtjen e integritetit moral të bashkëkombasve kudo që janë, edhe jashtë kufijve, e vendosin në plan të fundit. Pas interesit personal familjar i cili, jo rastësisht, shpesh herë përkon me interesat e shteteve fqinje. A mund të quhet kjo politikë antikombëtare? Sigurisht që po. Një shtet që nuk vepron nuk mund të quhet i pavullnetshëm por me vullnet për të mosvepruar.  Mosveprim i cili ka trullosur edhe qytetarët e këtij vendi, i ka mefshtësuar ata dhe i ka bërë të pandjeshëm ndaj padrejtësive që pësojnë çdo ditë në kurriz të tyre. Vetëm një ndërgjegjësim i përgjithshëm mund t’i nxjerrë shqiptarët nga ky batak. Ndërgjegjësim i cili ka ndodhur një herë të vetme këto vitet e fundit, me çështjen e kufijve detarë dhe që duhet të bëjmë ç’mos që të mos mbetet një episod sporadik…

Për ta mbyllur me Boboshticën e dashur: kush mund të thotë me siguri të plotë që nuk janë vetë  stërgjyshërit tanë që po dalin nga varret sepse nuk e durojnë dot një turp të tillë?

Onufri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *