Analizë e shpejtë mbi realitetin e ri politik

Është gjithashtu e vërtetë që baraspesha deri më sot është garantuar me marifete; ligjore dhe matematikore gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste (Nano-Meta); me shkelje të rregullave dhe me forcën e Ristanëve gjatë dy mandateve të fundit të Partisë Demokratike.  Pra ajo çka na servirej deri më sot edhe nga medialogët ishte pjata me dy ullinj, njësoj të vegjël, veçse me shije të ndryshme. Dhe ne, populli ,duhej të zgjidhnim sipas shijes, midis tyre sepse fruta të ëmbla nuk ka. Kjo deri dje, sepse papritmas kemi, u konfirmua sërish edhe prej medialogëve, risi në horizont.

Së pari, Kreshnik Spahiu dhe partia e tij Kuq e Zi, që aq shumë ngjan me emrin e Partisë së parë të Berluskonit , “Forza Italia”. Vetëm se ai i Italisë ishte biznesmen dhe kur u shfaq në skenën politike, kishte tjetër stil e tjetër të shkuar, të pa ndotur nga militantizmi politik. Ndërsa Kreshniku i Shqipërisë është karrierist i të njëjtit shtet, mendësinë dhe stilin politik së të cilit kërkon të përmbysë. OK, nuk duhet të merremi me personin. Kjo është një taktikë e ulët e politikëbërjes që ka karakterizuar diktatorin e madh dhe këtë të voglin që kemi sot. Por nuk ka asgjë për të thënë për partinë e re… Ta duash flamurin nuk duket si politikë. Ta duash me përfitim politik ngjan së paku jo-patriotike…

Së dyti, partia e Presidentit që nuk i lejohet të jetë partiak. Parti si kështjellë, e cila ndërtohet me një gur në ditë derisa t’i mbarojë mandati si President i Republikës Bamir Topit, ditë kur mbi kështjellë do të ngrihet flamuri i lirisë. Për këtë sërish nuk ka asgjë për të thënë! Nga e njëjta parti vijnë e të njëjtat gjëra presim.  Mjafton të citojmë Gjergj Bojaxhiun si një prej anëtarëve të partisë së Presidentit, duke iu referuar qeverisjes së PD-së: “8 vite të hedhura dëm për Shqipërinë” 
Po Gjergj, 8 vite gjatë të cilave ke dhënë kontribut që të hidhen dëm.

Është e qartë që elektorat të majtë këto parti nuk do të thithin. Është e qartë gjithashtu që bipolarizmi PD-PS nuk ka për të ndryshuar me shfaqjen e fenomeneve të reja si Partia Kuq e Zi dhe partia President. Dhe kjo nuk është domosdoshmërisht negative. Më së shumti shoh që gjërat nuk ndryshojnë. Prej brejtjes 8 vjeçare nga pushteti, gjatë qeverisjes së të majtëve lindi LSI-ja, e cila premtoi që do të bënte namin në zgjedhje, por të vetmin nam që pamë, e bëri gjatë qeverisjes .
Edhe sot nga gjiri i të djathtës, disi të lodhur nga pushteti, lindën disa partiçka, zhurma para-elektorale e të cilave është shurdhuese, por Shekspiriane, në fund të fundit për asgjë.

Ndërsa në fushën e vërtetë të betejës, në atë mes PD-së e PS-së ka rënë një heshtje e cila paralajmëron luftën e zgjedhjeve që afrojnë. Opozita duket se është dorëzuar të bëjë tryeza dhe statuse thirrëse nëpër Rrjetet Sociale , falë inovacionit teknologjik.
Pushteti vazhdon të shesë çfarë ka mbetur pa shitur në vend, që nga repartet ushtarake e deri te ALB Petroli, me qetësinë karakteristike të atij që ka armën në dorë dhe tytën të drejtuar nga kundërshtari.
Medialogët bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë, transformimin e thashethemit në lam. Dëgjohet si jehonë edhe ndonjë opinion mëndjendriturish ditën e enjte për të kompletuar manipulimin e plotë të të përgjumurit të madh, popullit. 
Popull të cilit iu vranë 26 bijë para katër vitesh dhe që sot bashkëjeton me vrasësit, nën mbikëqyrjen e një drejtësie të shtrembër.

Onufri

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *