Ali Dixhitalbi dhe 40 antenat

Rregullat e lojës janë pak dhe të thjeshtë, madje një RREGULL të vetëm ka: “Po nuk vodhe do të të vjedhin”.

Të gjitha këto mendime dhe zbulimi i “Amerikës” time e kanë zanafillën te vjedhja që bën Digitalbi. Te mashtrimi, te përdhosja e klientit, te monopoli që tashmë ka krijuar dhe që i jep një arrogancë fisnike prej të pushtetshmi kësaj kompanie prestigjoze. Sfidoj cilindo që ka një problem me sinjalin satelitor, të gjejë një portë të hapur apo një shërbim minimal. Klienti është i detyruar të paguaj çdo muaj për të parë dhe nëse nuk shikon dot, atëhere duhet të presë. As mos e provo të kërkosh të drejtën tënde pranë zyrave të Digitalbit sepse të duhet mik që të lësh takim me drejtorin, ashtu sikurse ndodh me çdo zyrtar tjetër privat apo shtetëror. Nëse nuk njeh, nëse nuk je i pushtetshëm, do të shkelesh me këmbë dhe këtë mund t’ia kursesh fare mirë vetes duke pritur në heshtje, përballë televizorit memec me ekran blu. Se mos të shkon mendja të ankohesh te Fiksi?! Është e tepërt t’ju kujtoj fenomenin e monopolit. Po gënjeshtra? Mos harrojmë gënjeshtrën që është medalja e babëzisë në gjoksin e kusarit. “Tregoi klientit sesi ke blerë të drejtat televizive për X vjet, s’do e kuptojë kurrë që negociatat me UEFA-n behen çdo vit”. “Reklamo kanale të reja se klienti s’ka ku përplas kokën kur të zbulojë gënjeshtrën”.
 Dhe atëhere me vjen sërisht inat me symbyllësinë time. Si nuk e kisha kuptuar më parë që po nuk vodhe të vjedhin! Dhe kështu po mendoj t’i dedikohem piraterisë. Të vjedh unë i pari se kështu bëjnë të gjithë. Madje po të tregosh shkathtësi dhe pangopësi në të qënurit i pari nuk do të ndëshkohesh asnjëherë. Nuk po them gjepura, mund t’jua ilustroj me shembuj që kështu ndodh rëndom dhe që kryeministri nuk i ndëshkon ata që tregojnë zotësi.
 Do kohë më parë një i fortë duke hyrë në kryeministri goditi një grua të verbër. Besoj të gjithë e mbani mend! Ajo sëbashku me dhjetra të verbër të tjerë që protestonin, i kishte zënë rrugën biznesmenit. Me një të rënë të dorës rruga iu hap biznesmenit (anonim për ne) dhe jo vetëm atij por edhe biznesit të tij, që s’e kuptoj sesi mund t’i hapet në kryeministri! A mos vallë e ndëshkoi ligji këtë ndjekës të RREGULLIT?

 Pak kohë më vonë u rrah në mes të bllokut gazetari Mero Baze. Dini gjë kush u ndëshkua për këtë?!

 Rruga Durrës-Kukës ka zbrazur buxhetin e shtetit, e ka çuar borxhin e brendshëm në 100% dhe unë nuk di të ketë ndonjë përgjegjës për këtë mrekulli të kusarisë.
 Të më falni që nuk ju përmenda sesi, edhe për një tragjedi të rëndë me dhjetra viktima, në hyrje të kryeqytetit, s’ka për të patur kurrë ndëshkime. E kemi pranuar të gjithë në heshtje një fat të tillë, madje kemi filluar edhe ta harrojmë tashmë.

 Një deputet u vra një vit më parë dhe policia ka shumë pista hetimi por asnjë të dyshuar…

Po të jesh i shkathët, i fortë, kusar dhe i pushtetshëm në atdheun tonë të vogël, je edhe i virtytshëm, në dëm të të qenurit i ndershëm, bujar, solidar, karakteristika këto të të pavirtytshmit. Kaq gjë e ka kuptuar edhe Digitalbi, Vizioni, Topi (jo ai i presidencës), Klani etj…  E kanë kuptuar të gjithë deri tek qytetari më i thjeshtë…
Dhe një pyetje të fundit i bëra vetes para se të kuptoja të vërtetën. Po votat a janë vjedhur? Që të quhesh i virtytshëm, që të mos ndëshkohesh, duhet të jesh i zoti në vjedhje dhe jo si lugati që përfundon pas hekurave.  Dhe atëhere t’i harrojmë kutitë sepse nuk kanë për t’u hapur kurrë. RREGULLI i lojës është një dhe i vetëm.

 

 Ps. Ne shqiptarët jemi popull i gjallë, energjik që i përshtatet më së miri çdo rrethane dhe çdo sistemi. Në çdo kohë i kemi luftuar ndryshimet dhe kemi qenë të fundit që kemi ndryshuar. Por pasi ndryshimi ka ndodhur kemi qenë gjithmonë të parët, më të dedikuarit, më të rreptët dhe më të paepurit duke shkëlqyer kudo. Të fundit që ramë nën pushtimin Osman, nxorrëm pashallarët më gjakatar, sunduam popuj anembanë perandorisë dhe i dhamë plot pashallarë Portës së Lartë. Të fundit që fituam pavarësinë por më të pangopurit, me dhjetra qeveri të ndryshuara në pak vite. Të fundit që krijuam mbretëri por me mbret për kokë të mbretit, që fal majtas e djathtas toka nga Shqipëria e cila ka plot të tilla. Të fundit komunista në evropë por me diktaturën e proletariatit që konsiderohet si më e hekurta. Të fundit në kapitalizëm, por kusarët më të denjë që njeh sistemi.

                                                                                                                                                                  Onufri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *