Absurdi me Cez-in

Dhe ja rezultati.  Përqindja e popullsisë që nuk paguan dritat është e njëjtë.  Privati me efiçencën e tij nuk arriti të bindë popullin me hir apo pahir që të paguajë dritat.  Protestat afër Lezhës për ndërprerjen e energjisë elektrike kishin në gjirin e tyre njerëz me halle, por mbi të gjitha me teserën e PD-së për të treguar njëkohësisht se pavarësisht protestës, nuk kanë gjë me regjimin dhe se kanë liçencën për të mos paguar dritat.  Çmimi i të cilave, për hir të të vërtetës rritet çdo ditë, si pasojë e vendimit të qeverisë për ta blerë energjinë elektrike nga importi me çmimin e tregut.

Kështu, krijohet një tablo e qartë dhe e plotë e absurdit që solli këtë superabsurd që jetojmë. Absurdi është një shtet që nuk ka mundësi të mjaftueshme të mbrojë shtresat në nevojë nga rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe kësisoj i inkurajon ata që të mos paguajnë dritat (mjafton të ruajnë besnikërinë ndaj regjimit) dhe një kompani private që provoi njëfarë kohe edhe milicinë private për të vjelur paratë, taktikë e cila dështoi, pasi pa ndihmën e shteti nuk mund të shkonte asgjëkund.  Por nuk mbaron me kaq.  Dhe këtu fillon superabsurdi.  Kjo kompani private kërkon të largohet, të iki nga ky vend.  Sepse pretendon se përballet me humbje për shkak të arkëtimeve shumë të vogla që ajo merr.  Natyrisht koha dhe ekspertët duhet të vërtetojnë pohimet e përfaqësuesve të Opozitës në lidhje me disa inxhinieri financiare që e ndihmuan Cez-in të frynte humbjet dhe të fshihte të ardhurat.  Por fakti është që ajo do të ikë.  Si rrjedhim po krijon një situatë konfliktuale me shtetin, duke ndërprerë dritat në mënyrë brutale dhe kolektive, për të dhënë sinjalin e qartë se ajo kompani nuk mund të rrijë dot këtu, për arsye se këtu përveç frymës së pandëshkueshmërisë dhe evazionit ndajt detyrimeve, mbretëron dhe një regjim që vë biznesin në trysni të papërballueshme.

Dhe ku më mirë sesa duke sulmuar në pikat më nevralgjike për regjimin: në prerjen e energjisë së ujësjellësave.  Është taktikë e poshtër, por po ta shikojmë më afër është thjesht rrjedhojë e mefshtësisë dhe papërgjegjshmërisë së shtetit.  Borxhin më të madh ndaj Cez-it e ka administrata qendrore dhe lokale.  Ajo kurrë nuk ka paguar dhe kurrë nuk do të paguajë ato para.  Dhe me këtë, shteti tregon se është i gatshëm të bëhet ferr për këdo, biznes të fuqishëm, biznes të vogël ose individ të thjeshtë, mjafton të shmangë detyrimet që ka dhe të ndihmojë ithtarët e vetë që t’i shmangin dhe ata detyrimet, në një festival të madh plot gaz e hare shkapërderdhjeje morale.

Dhe Cez vepron harbutçe ndaj harbutërisë, viktimë e së cilës ajo është kthyer.  Dhe kësaj harbutërie, shteti ynë i shton dhe një dozë tjetër harbutërie duke arrestuar punonjësit e Cez-it, ekzekutues të thjeshtë të rregullave dhe ligjeve të cilave vetë Cez-i i nënshtrohet dhe që duhen zbatuar.  Ka dalë ideja se Cez po pengon me këto ndërprerje aksesin e popullsisë drejt ujit, të njohur si një e drejtë themelore nga konventa ndërkombëtare ku Shqipëria është palë.  Me siguri.  Por si duhet të pajtojë shteti një situatë të papajtueshme dhe shpërthyese: midis një privati që kryen një veprimtari publike, për të cilën nuk po merr asnjë pagesë nga shteti, sepse regjimi që drejton këtë shtet nuk paguan asnjë faturë dhe një detyre që më shumë i përket shtetit dhe jo Cez-it, atë të sigurimit të aksesit të popullsisë drejt ujit.  Flamurtari Flamur i Ministrisë së Brendshme mund të çojë policët civila dhe me uniformë që të arrestojnë punonjësit e Cez-it, por ai së bashku me urdhëruesit t tij, nuk do të jenë kurrë në gjendje të zgjidhin problemin e mospagimit të faturave të energjisë, sepse as nuk e kanë në plan dhe, ç’është më e keqja, shteti nuk ka asnjë armë ligjore në anën e tij, përveç atë të nxjerres së disa vendimeve të pamatura gjykatash, për të stabilizuar situatën e ujësjellësave kur këta të fundit janë në pikë të hallit dhe nuk paguajnë dritat.

Cez është në një luftë nervash me shtetin  ku ata që po paguajnë, si gjithnjë, janë njerëzit.  Por të jemi të qartë: kjo vjen nga mungesa e sotme e shtetit dhe nga politika e gabuar e privatizimit të gjithçkaje që ndërmorën ata që drejtojnë sot shtetin.  Çdo gjë e ka një arsye dhe arsyeja e këtij absurdi është shmangia e përgjegjësive nga vetë shteti, atëherë kur ai kërkohej më shumë.

Stavri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *