A e dinit që mafia vret vetëm në verë?

Kjo lloj histerie kolektive e ka devijuar debatin publik drejt degradimit dhe drejt verbërisë. Mungesa e profesionalizmit në media ka bërë që të mos diskutohet në mënyrë të shëndoshë. Shoqëria civile është inekzistente duke bërë që opinioni publik të mos ketë pika referimi.

Kjo lloj dashurie e marrëzishme e njerëzve për thashethemin nuk shpjegohet me ngeshmërinë, nuk shpjegohet as me papunësinë. Ky fenomen që na bashkon me popujt e Italisë së jugut shpjegohet me Mafien.

Në Itali, para disa muajsh u shfaq premiera e një filmi që trajton në mënyrë satirike problematikën e Mafies në Siçili. Diku nga fillimi i filmit shfaqet një djalë i vogël, protagonisti,  i frikësuar nga vrasjet me atentat të Koza Nostrës. Një natë, ai nuk i kërkon të atit që ti tregojë përrallën e zakonshme por e pyet: “Mafia mund të na vrasë edhe ne?” I zënë ngushtë nga kjo pyetje i ati gjen një zgjidhje befasuese për shqetësimin e të birit: “Biri im, tani jemi në dimër apo jo? Fli i qetë pra, se mafia vret vetëm në verë”.

Sigurisht, ai mund t’i thoshte që mafia nuk vret njerëz të thjeshtë e të parrezikshëm për vetë mafien. Mafia nuk e çon barutin dëm. Mafia funksionon me logjikë kapitaliste dhe nuk harxhon kot, pa pasur përfitim. Ajo ka dy armiq që i cenojnë fitimet, ashtu si çdo korporatë tjetër në sistemin kapitalist: konkurrentin (pra mafiozin tjetër) dhe shtetin e së drejtës… I pari mund të jetë kushdo duke qenë se mafia na shfaqet me shumë maska, kurse i dyti mund të shfaqet me fytyrën e një prokurori, gjykatësi, ministri, Kryeministri apo gazetari investigativ, dmth. kushdo që i bëhet pengesë në rrugën e artë të përfitimeve materiale. Por babai nuk ia shpjegoi këtë një fëmije 10 vjeçar sepse kjo do t’ia prishte gjumin duke i ngritur plot pyetje dhe dyshime të tjera…

Deri më sot viktima ekselente të shtetit në luftë kundër mafies nuk kemi pasur. Ky mund të jetë një sinjal i mirë  sepse askush nuk dëshiron të shohë viktima. Mbase është tregues që mafia nuk ekziston.
Dhe vërtetë, me përjashtim të policëve të rënë në detyrë (gjithmonë në aksion) në luftën me krimin, nuk njihen raste që implikojnë zyrtarë të lartë të shtetit të cilët të jenë konfliktuar deri në fund me kriminalitetin e organizuar. Ndërsa në shtetin fqinj viktimat e mafies janë prokurorë, gjykatës, gazetarë, politikanë, të cilët e kanë denoncuar dhe e kanë luftuar mafien. E megjithatë mund të marrim shembullin e disa fshatarëve në Siçili,nga të cilët dëgjon rëndom: “mafia nuk ekziston”. Zgjedhjen e kemi në dorë ne…

Është i njohur fakti që mafia nuk shfaqet nga hiçi dhe do kohën e vetë për tu rrënjosur në shoqëri. Në Shqipëri ka pasur plot 23 vjet për tu organizuar. I mbetet qeverisë njëvjeçare të tregojë që ka vullnet ta këpusë tentakulën e mafies që e ka mbërthyer shtetin tashmë prej dy dekadash. Ky nuk është mision i pamundur!

Nga ana tjetër, mision i pamundur më duket se është, distancimi i shoqërisë shqiptare nga thashethemi i rëndomtë mediatik. Kjo është një plagë e shkaktuar nga mafia, e cila nuk mund të mbyllet pa u eleminuar më parë sëmundja, shkaktari, pra vetë mafia.

Kështu, vendosja e shtetit në Lazarat nuk mund të jetë më interesante se historia “gossip” me thika e pirunj që na tregoi babagjyshi i vitit të vjetër. Mafia nuk dëshiron të jetë në qendër të vëmendjes. Ajo kërkon të perceptohet nga të gjithë si një prezencë e kudondodhur në ajër, por kurrsesi në qendër te opinionit publik i cili ka aftësi ndëshkuese. Edhe arsyet e vërteta përse po vriten vetëm biznesmenë dhe kryetarë komunash, nuk mund të jenë më interesante sesa pyetja: ishte femër apo mashkull atentatori, apo sa kubikësh ishte motori, apo kush prej VIP-ave tanë e njihte dhe kujt i kishte bërë favore i ndjeri. 

Në të njëjtin film italian që mban edhe titullin “Mafia vret vetëm në verë”, protagonisti i filmit, bën një detyrë shtëpie: “Intervistë me gjykatësin anti-mafia të qytetit të tij”, i cili më pas do të gjejë vdekjen në atentat mafioz. E gjithë klasa e duartrokiti kur ai e lexoi detyrën (intervistën) përpara tyre. Por kur një djalë tjetër nga klasa u ngrit dhe lexoi detyrën e vet, tregoi një histori krejt të pavërtetë, gati të pabesueshme, ku gënjente që kishte parë një atentat me njerëz që iu fluturonin kokat si në filmat vizatimorë. Historia e tij pati më tepër sukses dhe shokët e klasës e përqafuan duke e lënë të vetmuar Protagonistin me punën e tij investigative prej gazetari aspirant…

Onufri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *