A duhet botuar Mein Kampf?

Mein Kampf (« Lufta ime ») është një libër i shkruar vrullshëm nga një njeri i armatosur me një urrejtje të pashoq, me një mllef të papërballueshëm dhe me një rrjedhshmëri mendimi që ngec herë pas here për shkak të një skematizimi ekstrem të një jete të përshkruar shkurtimisht, pa fakte, pa data, po ku lexohet qartë qëllimi i Hitlerit për të treguar se botëkuptimi i tij tashmë është formësuar tërësisht. Është një mish-mash idesh ku në thelb qëndron ideja se njeriu i armatosur me vullnet në njërën dorë dhe me urrejtjen në tjetrën, mund të bëjë gjithçka. Mund të shtyp këdo dhe mund të shpërfillë çdo argument, mjafton që të kesh këmbënguljen e nevojshme. Nga një plan individual, ai hidhet në një plan politik ku shpall se, nëpërmjet këtij vullneti, shteti gjerman duhet të rifitojë territoret e humbura fill pas Luftës së Parë Botërore dhe të sigurojë një hapësirë jetësore për t’u emancipuar si komb me qëllim rifitimin e shkëlqimit të humbur. Ai i bën thirrje mitologjive të vjetra, ëndrrave nacionaliste që elektrizojnë turmat por nuk kanë asgjë përmbajtësore të vërtetë. Me pak fjalë, gjendja katastrofike e Gjermanisë në ato vite dhe urrejtja e tij përbënin tharmin e një ideologjie që më vonë solli ngjarjet që i dimë të gjithë. Sa për ta hapur një parantezë të vogël, duhet të shikojmë një ngjashmëri midis Gjermanisë së atëhershme dhe Shqipërisë sot. Rolin atdhetar që duhet të luajë shteti në fakt e luajnë individët, patriotizmi i të cilëve shpesh devijon në një nacionalizëm të rreptë. Nuk mund t’i vëmë fajin popullit për lapangjozjen e shtetit, por ama duhet të nënvizojmë se dorëzimi i stafetës së patriotizmit në dorë të individëve të ndryshëm mund të shikohet si një rilindje e ideologjive të ngjashme me ato fashiste. Kjo mund të jetë një arsye për të ndalur botimin këtij libri në Shqipëri. Leximi i këtij libri mund të ushqejë shpirtra të trazuar nga mungesa e një shteti që të mbron, që të bën të identifikueshëm krenarisht si shqiptar. Por, për mendimin tonë, nuk duhet të jetë kështu. Së fundi, Hitleri shpërthen në një diatribë raciste kundër hebrenjve dhe kategorizimit të popullsisë në inferiore dhe superiore. Erdhi një pikë dhe ai nxori në dukje arsyen përse e shkruante atë libër realisht…

Shqiptarët kanë nevojë të njohin, të kuptojnë dhe kjo kalon domosdoshmërisht nëpërmjet leximit. Leximit të veprave të ndryshme, të cilësive të ndryshme, të fushave të ndryshme dhe të pikëpamjeve të kundërta. Nuk mund të krijohet dot një opinion qytetar autonom, me aftësi gjykimi nëse pengohet përhapja e mendimeve dhe ideve. Dhe në këtë kuptim, nuk mund të kufizohet dot as qarkullimi i librave polemikë. Liria e fjalës duhet pranuar si e tërë, ose përndryshe, le të rikthehemi në kohërat e vjetra ku si e vetme dritare me botën e jashtme ishte « Fjalori i Filozofisë » i botuar nga Instituti i Filozofisë Marksiste-Leniniste asokohe, ku paraqiteshin shkurtimisht filozofët botërorë dhe ku bëhej një shpjegim skematik i njëanshëm (eufemizëm) i filozofëve, të cilët ndaheshin në idealistë subjektivë (të këqinjtë), idealistë objektivë (të mashtruarit), materialistë subjektivë (mashtruesit) dhe materialistë objektivë (shumë pranë të vërtetës). Ndryshe, një gjë e tillë do të quhej censurë, ose kontroll i mendimit dhe i përhapjes së tij. Në kohën kur jetojmë, çdo kufizim i idesë, pavarësisht meritës së saj është i dëmshëm. Jo vetëm sepse e bën atë më tërheqëse, falë disa çudirave të mendjes njerëzore, por e bën atë më të aksedueshëm në mënyrë informale, si për shembull nëpërmjet Internetit. Aktualisht, të drejtat e autorit për librin e Hitlerit i zotëron Landi i Bavarisë, por ai përfiton shumë më pak, për faktin sepse libri është censuruar në shumë vende dhe pavarësisht kësaj ai është një nga më të përhapurit.

Përhapja e ideve nuk mund të pengohet, por mund të rregullohet. Siç e ka deklaruar shpesh dhe Gjykata evropiane e të Drejtave të Njeriut, liria e opinioneve është shprehje thelbësore e pluralizmit dhe përbën një nga shtyllat kryesore të një shoqërie demokratike. Ajo vlen jo vetëm për idetë që kanë favorin e shumicës së publikut dhe idetë jo të dëmshme, por edhe për ato që shqetësojnë ose shokojnë opinionin publik. Megjithatë, liria e shprehjes mund të jetë objekt i kufizimeve të nevojshme në një shoqëri demokratike. Kufizimet mund të parashikohen për kategori të caktuara lexuesish (të miturit) dhe për kategori të caktuara veprash (me përmbajtje pornografike ose raciste). Vlerësimi nuk është i lehtë dhe motivohet nga arsye të mbrojtjes së kategorive të brishta dhe të influencueshme ose për arsye të mbrojtjes së rendit shoqëror. Pjesët me përmbajtje raciste të librit Mein Kampf mund të bien nën ndalimin e diktuar nga ruajtja e rendit shoqëror. Racizmi është një çështje që ende sot është në rend të ditës dhe lufta kundër tij është një betejë e pafituar ende. Dhe në këtë kuptim, do të ishte e arsyeshme që ky libër të mos botohej. Por një zgjidhje e tillë do të kishte meritën e thjeshtësisë ashtu sikundër të metën e moskuptimit të momentit dramatik që kaloi Evropa.

Tashmë ekzistojnë një mori dokumentarësh në lidhje me Luftën e Dytë Botërore dhe mbi teorinë që qëndronte në zemër të saj, janë shkruar shumë libra studimorë, por ato nuk mund të përshkruajnë më mirë sesa vet Mein Kampf urrejtjen e tjetrit për shkak se ai/ajo është ndryshe. Vetëm nëpërmjet leximit të atij libri kupton sesa të paqëndrueshme janë si teori dhe në kundërshtim me zhvillimin e sotëm shoqëror që njeh bota. Vetëm duke e lexuar e kupton se hallet që kanë popujt janë të ngjashme, pavarësisht origjinës ose racës së tyre dhe rrjedhimisht kupton se sa e shkëputur nga realiteti është një teori si ajo e paraqitur në libër.  Duke mos lejuar botimin e atij libri, do të zbatojmë pikërisht atë politikë të promovuar nga autori i tij dhe do të inkurajonim njerëzit (sidomos të rinjtë) të tërhiqeshin më shumë nga ky libër, të shtyrë nga kërshëria dhe kësisoj do të rrezikonim kthimin e kësaj teorie në një mënyrë mendimi dhe veprimi. Si përfundim duhet të konsiderojmë se botimi i këtij libri i shërben shoqërisë për shkak të interesit të tij historik dokumentar. Botimi mund të shoqërohet nga një parathënie paralajmëruese ku të vihet theksi në lidhje me mungesën e themeleve shkencore të teorive që e përshkrojnë atë libër dhe kështu respektohet liria e opinioneve, shprehur nëpërmjet vullnetit për t’i dhënë publikut një material historik të padiskutueshëm por edhe do të vihet theksi në rrezikshmërinë e këtyre teorive nëse ato merren seriozisht.

Stavri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *